×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja që loboi për të drejtën e Shyhrete Berishës ka disa fjalë për drejtësinë e mohuar

    Insajderi
    06 July 2017 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qysh në fillim të mandatit të saj si presidente e Kosovës, mes shumë sulmeve ndaj saj pikërisht për shkak se ishte presidentja e parë grua, Atifete Jahjaga ishte marrë pikërisht me të drejtat e mohuara të grave kosovare.

    E, e kishte mbështetur fort një grua e cila megjithëse kishte humbur të gjithë familjen tani i mohohej e drejta e shtëpisë së bashkëshortit të saj të vrarë ku ka jetuar së bashku me fëmijët e tjerë, Shyhrete Berisha nga Suhareka.

    Madje në shumë fjalime të saja e kishte quajtur “rastin e Shyhrete Berishës turp të institucioneve të drejtësisë”, e të enjten kur pas më shumë se 17 vitesh, Berisha fitoi të drejtën mbi gjysmën e shtëpisë dhe gjysmën e dy pronave të tjera, Jahjaga ka shkruar se ky vendim e ka gëzuar.

    “E përshëndes vendimin e drejtë të Gjykatës Themelore në Prizren që vendosi në favor të Shyhrete Berishës, që asaj t’i mbes shtëpia në të cilën ajo mbante kujtimet e familjarëve të saj”, ka shkruar Jahajga.

    Presidentja e pestë e Kosovës, për rastin e Shyhrete Berishës kishte folur edhe në një intervistë për Insajderin, kishte thënë se drejtësia kosovare e ka “vrarë” për së dyti Shyhrete Berishën me maltretimet që ia ka bërë.

    “Shyhretja së bashku me familjen e saj ka dhënë shumë për këtë vend dhe ajo ka sakrifikuar shumë sepse ju e dini që tërë familja e saj dhe një pjesë e madhe e familjes Berisha janë vrarë e janë sakrifikuar, një pjesë e madhe e tyre nuk gjenden trupat e tyre. Dhe 18 vite pas luftës shteti të cilin ajo ka sakrifikuar dhe ajo atë liri që neve sot e gëzojmë që ajo ka dhënë shumë dhe familja e saj ka dhënë shumë, tani shteti 18 vite pas është duke e dështuar për qasjen në pronë dhe për qasjen në drejtësi”, kishte thënë Jahjaga.

    Në Facebook, të enjten ajo e potencoi të njëjtin fakt.

    “Shyhreten fatkeqësisht drejtësia dhe shoqëria kosovare e la të dëshpëruar për një kohë shumë të gjatë, duke e përballur me konteste gjyqësore, sikur asaj të mos i mjaftonte dhimbja me të cilën kishte jetuar gjithë këto vite pasi kishte humbur të gjithë familjen në masakrën e familjes Berisha nga Suhareka gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Jahjaga.

    Sipas saj, vendime si ky duhet të shërbejnë si shembuj që “të jemi edhe më të zëshëm për të kërkuar drejtësi për të gjitha rastet, sepse Shyhretja nuk është e vetmja që i është mohuar e drejta për të trashëguar pronën”.

    “Drejtësia sot ishte në anën e atyre që e kërkuan dhe e tillë duhet të jetë çdo ditë”, ka përfunduar Jahjaga./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark