19:30 - 11 Shkurt 2016

Klubi i basketbollit Sigal Prishtina është i gatshëm të organizojë turneun final të Kupës së Kosovës në basketboll.

Kështu u tha të enjten nëpërmjet një konference për media të organizuar në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë nga organizatorët e kësaj ngjarjeje, drejtuesit e klubit të Prishtinës në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Blerand Stavileci, kryetar i KB Sigal Prishtinës ka thënë se kjo nuk është hera e parë që qyteti i Prishtinës, por edhe klubi janë dëshmuar për organizime të mëdha, derisa ai ka premtuar se kësaj radhe do të jetë dukshëm edhe më mirë.

“Ne si skuadër gjithnjë kemi harxhuar energji për organizimin e ngjarjeve të mëdha, gjithnjë duke u përshtatur me infrastrukturën, e cila në gjendjen në të cilën është tani na i pamundëson disa gjëra dhe ne duhet të improvizojmë”, tha kryetari i klubit prishtinas.

Ndërkohë kapiteni i KB Prishtinës, Edmond Azemi, u shpreh se pret ndeshje të forta në këtë turne final të Kupës së Kosovës.

“Unë besoj se do të jetë një atmosferë e mirë dhe se nuk do të mungoj basketbolli cilësor. Ne jemi përgatitur maksimalisht për gjysmëfinalen kundër Bashkimit. E dimë se do të jetë shumë vështirë, por besojmë se me këtë ekip që e kemi do t’ia dalim të plasohemi në finalen e madhe”, tha ikona e klubit bardhekaltër.

Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 dhe 14 Shkurt 2016 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Të premten në gjysmëfinalen e parë, e cila do të zhvillohet me fillim nga ora 17:00 do të përballen KB Peja – KB Trepça, kurse ndeshja e dytë gjysmëfinale do të luhet duke filluar nga ora 19:45, ku do të takohen KB Bashkimi – KB Sigal Prishtina. Ndërkaq finalet në të dyja konkurrencat do të zhvillohen të dielën me fillim nga ora 17:00 dhe 19:45. Në finalen e femrave do të ballafaqohen Prishtina dhe Penza nga Peja.