×
  • Lajme
  • Insajderi

    Prishtina vazhdon të përballet me reduktime të ujit, KRU “Prishtina” dështon me furnizimin 24 orësh

    Insajderi
    16 January 2021 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pothuajse të gjitha lagjet e Prishtinës, përveç Qendrës, po vazhdojnë të përballen me reduktime të shpeshta të ujit. Edhe pse 21 vjet pasluftës dhe shumë investimeve, KRU “Prishtina” po dështon të furnizojë konsumatorët e saj me ujë 24 orë në ditë.

    Gjatë sezonit të verës zakonisht nga kjo kompani publike ankohen për mungesë të reshurave të shiut, ndërsa tani në sezonin e dimrit ankohen për të reshurat e shumta.

    Megjithatë, duke ditur faktin se në këto dy stinë mund të kenë probleme, kompania në fjalë nuk arrin që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme.

    Tani kur liqenet akumuluese janë mbushur me ujë, nga KRU “Prishtina” njoftojnë se Liqeni i Badocit është turbulluar dhe se furnizimi me ujë 24 orë në ditë është i pamundur.

    Por disa lagje të Prishtinës, po kanë reduktime të gjata deri 24 orë.

    “Për shkak të nivelit jashtëzakonisht të lartë të turbullirës në liqenin e Badocit dhe pamundësisë për të trajtuar atë, mbrëmë u detyruam që të ndërpresim në tërësi trajtimin e ujit nga ky Impiant Trajtimi. Stafi i ITUP Badovc nën udhëheqjen e Drejtores Teknike së bashku me stafin, departamentin për kualitet të ujit për pije, arritën tani ta rikthejnë ne punë, mirëpo me kapacitet minimal”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

    Pavarësisht funksionalizimit me alternativa tjera teknike, për furnizim me ujë nga linjat tjera, zonat e larta mbesin pa ujë, përveç zonave të ulëta në lagjen Mati.

    Pa ujë të pijshëm janë shumica e zonave që furnizohen me ujë nga ITUP Badoc: Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Mati 1/ Matiqani (pikat e larta), Bregu i Diellit.

    Siç njofton KRU “Prishtina” ekipet tjera teknike janë në terren duke punuar në të gjitha drejtimet.

    “Do të ju mbajmë vazhdimisht të informuar, varësisht nga situata në të cilën do gjendemi me kualitet te ujit në burim. Ne varësi te mundësive me kapacitet trajtuese, do ngritët gradualisht kapaciteti trajtues ne ITUP, ndërsa rikthimi i furnizimit për shumicën e zonave pritet pas orës 15:00”, thuhet në njoftim.

    KosovaPress ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark