×
  • Sport
  • Sport

    Procesi i komplikuar i licencimit të FFK-së, akuza të shumta e “tendenca shantazhimi”

    Insajderi
    23 December 2022 - 21:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Korrespondenca mes Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë dhe Federatës së Futbollit të Kosovës në anën tjetër, dëshmon “konfliktin” në heshtje mes dy palëve dhe që licencimi i FFK-së nga MKRS-ja është proces i komplikuar dhe që mund të zgjatë.

    FFK-ja, si shumë federata të tjera sportive në vend, ende nuk është pajisur me licencë nga MKRS-ja. Kjo ndër të tjera e pamundëson përfitimin nga Ligji për Sponsorizim, që kusht e ka licencimin e federatës. Pos FFK-së, në mungesë të licencës, nga Ligji për Sponsorizim nuk mund të përfitojnë as klubet e futbollit. Nëse gjendja nuk ndryshon dhe klubet nuk mund të përfitojnë nga Ligji për Sponsorizim, atëherë kjo do të jetë goditje e madhe për futbollin.

    Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur i bindur se federata më e madhe në vend do të licencohet shpejt dhe se nuk ka arsye për brengosje. Por korrespondenca tregon diçka tjetër.

    Më 29 nëntor, Komisioni për Licencim ka njoftuar FFK-në që nuk i është ndarë licenca dhe se duhet të plotësojë dokumentacionin.

    Më 15 dhjetor, FFK-ja i ka shkruar letër Komisionit, ndërsa letra ka përmbajtur akuza jo të lehta. Taulant Hodaj, i paraqitur si sekretar i përgjithshëm i FFK-së, i ka shkruar Komisionit se “një pjesë e konsiderueshme e vërejtjeve tuaja nuk gjejnë mbështetje në ligj dhe as në udhëzimin administrativ në lidhje me licencimin e federatave”.

    Madje FFK-ja ka kaluar në akuza personale. Komisionin Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive e udhëheq Fidan Shatri. FFK-ja ka përmendur edhe FIFA-n e UEFA-n në atë letër të 15 dhjetorit. Letra lë të kuptohet se FIFA e UEFA po njoftohen me gjithë procesin.

    “Federata e Futbollit të Kosovës konsideron se disa nga kërkesat dhe vërejtjet e juaja të pabazuara janë si vazhdim i kërkesave paraprake të disa personave nga Departamenti i Sportit dhe Ligjor i MKRS-së, i udhëhequr në atë kohë nga një person tjetër po me mbiemër Shatri, ku ndër të tjera kanë dërguar kallëzime penale ndaj FFK-së kinse e njëjta ka falsifikuar dokumentet e UEFA-s. Ju përkujtojmë se lehtë këto veprime të disa personave zyrtarë të MKRS-së mund të konsiderohen nga UEFA dhe FIFA si ndërhyrje në pavarësinë e FFK-së si organizatë joqeveritare që mund të ketë për pasojë edhe intervenimin e UEFA-s dhe FIFA-s që mund të marrin masa ekstreme ndaj përjashtimit të Kosovës. Rrjedhimisht, nga UEFA dhe FIFA kanë kërkuar që t’i mbajmë të informuar rreth këtyre kërkesave, kështu që organet përkatëse të UEFA-s dhe FIFA-s mbahen të informuara me këtë përgjigje së bashku me Ministrinë dhe KOK-un. Andaj përmes kësaj përgjigje të bashkëlidhur do t’i adresojmë çështjet për të cilat konsiderojmë se vërejtjet/konstatimet tuaja janë të pabazuara dhe do të ofrojmë përgjigje në disa prej dokumenteve të kërkuara“, ka shkruar FFK-ja, duke akuzuar njëkohësisht.

    Menjëherë më 16 dhjetor, Komisioni i Ministrisë i ka shkruar Federatës së Futbollit, përkatësisht Hodajt. Komisioni ka shkruar se përgjigje jep vetëm në letrat e ardhura nga emaili zyrtar i FFK-së, që në këtë rast, sipas Komisionit, nuk ka ndodhur. Ndërkohë ka paralajmëruar Hodajn se “nëse përsëriten shkresat e tilla në adresë të KVLFS-së, të cilat përmbajnë edhe elemente paragjykuese, etiketuese, denigruese, shantazhuese, kërcënuese dhe që bëjnë presion në relacion me punën zyrtare që e bëjnë anëtarët e KVLFS-së, ato shkresa do të adresohen menjëherë tek institucionet dhe organet përkatëse ligjzbatuese në Kosovë”.

    FFK-ja është përgjigjur më 19 dhjetor. Këtë herë përmes emailit zyrtar të personit të autorizuar, Agim Ademit. Dhe në letër shkruan se “kryetari i FFK-së nuk mundet që personalisht të përgjigjet në çdo email dhe shkresë të FFK-së”. Në letrën e 19 dhjetorit po ashtu shkruan se sekretari i përgjithshëm, Hodaj, është autorizuar të përfaqësojë FFK-në në Komisionin Vlerësues dhe komisionet e tjera.

    Për më tepër, FFK-ja ka konkluduar se procesi i licencimit të saj po tentohet të bllokohet.

    “Çështjen e emailit dhe përfaqësimit të FFK-së më shumë e shohim si vazhdimësi e atyre vërejtjeve tuaja paraprake, ku procesin e licencimit të FFK-së jeni duke tentuar me çdo kusht ta bllokoni, me arsyetime ta pabazuara, ku njëherë duke u thirrur ndër të tjera edhe në mungesë të një shkronje të një personi, ndërsa tani duke u thirrur në atë që kinse emaili nuk është dërguar nga emri i personit në formular. Konsideroj që qëllimi i udhëzimit administrativ të lartcekur është rilicencimi i federatave dhe nuk është kjo qasje e juaj që në çdo moment të krijojë pengesa administrative, teknike dhe burokratike për të pamundësuar licencimin e FFK-së. Duke pasur parasysh qasjen subjektive të Komisionit, tani e tutje në çdo komunikim mes nesh do t’i përfshijmë edhe përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s, pasi të njëjtit kanë kërkuar të jenë të informuar për këtë rast, ashtu që të njëjtit të vlerësojnë në mënyrë të pavarur bazueshmërinë ose pabazueshmërinë e kërkesave tuaja, si dhe ndërhyrjet potenciale të autoriteteve shtetërore të Kosovës, në këtë rast të Komisionit, në punën e brendshme të FFK-së”, ka shkruar Federata e Futbollit, duke paralajmëruar Komisionin se do t’i drejtohet gjykatës nëse “merret një vendim kundërligjor”.

    Dhe të premten KVLFS ka nisur një tjetër email në adresë të FFK-së e po ashtu klubeve të Superligës. Fillimisht klubet e Superligës, sipas letërkëmbimit, i ka përfshirë FFK-ja. Dhe më pas edhe Komisioni i Ministrisë.

    Në letërkëmbim shihet që ka shumë vërejtje nga Komisioni te “shqyrtimi i dokumentacionit për anëtarët e Federatës së Futbollit”.

    Më 29 nëntor, KVLFS ka evidentuar mangësi të shumta në dosjen e FFK-së për licencim dhe ka kërkuar plotësime e kompletime të shumta. Ndër të tjera, shkruan se kryetari i FFK-së, Agim Ademi, “ka sjellë vërtetimin nga gjykata që është nxjerrë në emër të rregullimit të dokumentacionit për vizë dhe duhet të sillet certifikata unike nga gjykata përkatëse në origjinal”. Kjo vërejtje është dhënë lidhur me dëshminë nga gjykata se organet drejtuese nuk janë të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë.

    Janë plot 20 pika me kërkesën për përmirësime në dosjen e FFK-së, ndërsa disa prej pikave kanë shumë nënpika të tjera.

    Në letrën e fundit, që Komisioni e ka dërguar të premten në FFK, shkruan se Federata e Futbollit përmes mënyrës se si i është drejtuar KVLFS-së ka paraqitur tendencë për shantazhim.

    “Qasja e tillë, përveç që është paragjykuese, është edhe denigruese dhe paraqet tendencë të hapur të shantazhimit dhe ka për qëllim të bëjë presion në punën e anëtarëve të Komisionit Vlerësues. Prandaj kërkojmë që kjo qasje të ndërpritet sepse është e pabazuar plotësisht”, shkruan në letrën e 23 dhjetorit.

    Komisioni është pajtuar që me procesin të njoftohet FIFA dhe UEFA dhe ka mohuar mundësinë që kërkesat për licencim të jenë “ndërhyrje apo cenim i autonomisë së funksionimit dhe veprimit të FFK-së”.

    Komisioni ka përsëritur vërejtjen lidhur me dokumentin që Agim Ademi ka prezantuar si dëshmi nga gjykata.

    “Vërejtja e KVLFS-së lidhur me dëshminë nga Gjykata kompetente qëndron, sepse për të gjithë anëtarët e tjerë të bordit ekzekutiv të FFK-së kanë sjellë dëshmitë origjinale nga gjykata kompetente, ndërsa në emër të kryetarit është sjellë një vërtetim që nuk është certifikata unike nga gjykata. KVLFS-ja është në pritje të dëshmisë origjinale/certifikatës unike nga gjykata me të gjitha të dhënat përkatëse që janë pjesë e formularit përkatës zyrtar”.

    Ka edhe plot kërkesa të tjera që janë riparaqitur ndaj FFK-së për ta pajisur federatën më të madhe në vend me licencë të re. Ka vërejtje edhe për sekretarin gjeneral, përkatësisht për ushtruesin e detyrës së sekretarit gjeneral. Aq shumë ka vërejtje e kërkesa, sa që nëse Komisioni mbetet prapa qëndrimit aktual, licencimi i FFK-së nuk do të përfundojë së shpejti.

    Lexo edhe...
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Insporti
    18 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark