×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Prof. dr. Vebi Bexheti: “Dita e Shëngjergjit në lirikën popullore”

    Insajderi
    06 May 2023 - 14:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kjo festë aq e dashur për shqiptarët dhe me rrënjë në lashtësinë e vet kombit, tanimë është e pranishme në këngën popullore, në mitologjinë tonë dhe në kujtesën e më të vjetërve për kohën e rinisë së tyre, sepse Shëngjergji tek shqiptarët, përveç karakterit ritual, përtrirjes së natyrës, atij praktik të prodhimtarisë dhe atij kalendarik, fitoi edhe karakterin e festës së të rinjve, u bë pjesë e jetës së tyre.

    Dita e Luleve që bie një ditë para Shëngjergjit, më 5 Maj, me kohë te të rinjtë e Veshallës dhe shumë katundeve të kësaj malësie, ishte shndërruar në ditë gëzimi e hareje të natyrës, aty ku lindte dhe shijohej dashuria. Vargjet e këngës popullore, të cilat konsiderohen si regjistruesi më besnik i këtyre vlerave, që nuk e patën lehtë të mbijetojnë, janë dëshmitari më objektiv, që tregojnë karakterin jofetar të kësaj feste. Këngët popullore, të shënuara në këtë katund, në mënyrë origjinale e përshkruajnë karakterin e zhveshur të kësaj feste nga ciladoqoftë fe.

    Vargjet lirike të këtyre këngëve, temë kryesore e kanë dashurinë dhe momentet e ndjeshme që vajzës së fejuar ia përkujtojnë kohën kur ajo nuk do ketë mundësi të jetë në mesin e shoqeve gjatë këtyre dy ditëve të kësaj feste. Brenda këtyre këngëve, ndër të tjera, do hasim dhe një sërë ritesh që kanë të bëjë me jetën, dashurinë, ditët e vajzërisë me veshjet e saj që një ditë do zëvendësohen me ato të nuses, duke u përshëndetur përgjithmonë me jetën e beqarisë. Çelja e gjethit, si paralajmërues se ka ardhur pranvera, që Ditën e Luleve e zbukuron më tepër, për poetin popullor lidhet edhe me dashurinë mes djalit dhe vajzës, që në këtë rast na vjen me emrin e thëllëzës :

    “O lum e lum, na ka çel xhethi, / do dahet i majri e i keçi ,/ i keçi le t’rreje te loma/ i majri le veje te folloza”.

    Meqë Dita e Luleve ishte vetëm për vajzat beqare e jo edhe për gratë e martuara, kjo ditë për to ishte shumë e rëndësishme, sepse me këtë festë që vinte një herë në vit, ato i matnin edhe vitet e beqarisë, që shkonin shumë shpejt :

    “O lumët ne për të lumin Zot,/ do shkojna për lule ene mot,/ o ene mot ene qetër mot,/ o hala imi shoçe plot,/ do na vaje motja o sikur sot”.

    Se sa ishte e lidhur emocionalisht kjo ditë me të dashurin e vajzës, tregojnë edhe vargjet:

    “Ditën e Shënxhexhit, gjith ditën kom ka,/ kmejsha e dilberit, më ka metë pa la.”

    Veshja popullore e vajzave zuri vend edhe në këto vargje sepse ajo ishte e lidhur me statusin martesor të tyre:

    “O çelni molla, çelni dardha,

    jon vesh caucat me skutaçe t’bardha, molla e dardha le t’çelin,

    shiqir xhi e prejtëm Shënxhexhin.

    Kaj moj motër, njen sa t’çele xhethi, ilvida te ne not Shënxhexhi.

    Xhi punon Lulije honom napër hije, Shënxhexhin qetër me sontije.

    Ndarjen e një shoqeje nga grupi i vajzave që bëhen gati për këtë festë, meqë ajo ishte martuar, e përjetuan shumë keq shoqet e saj, kjo ditë për to nuk e kishte bukurinë e viteve të kaluara:

    “O ki Shënxhexhi i siveçëm,/ pa shoçen teme shaum i beçëmm,/ për shoçen teme mi vajn shaum keç,/ se nouk e mrrejni kët Shënxhexh.

    Vargjet e këtyre këngëve bëjnë fjalë edhe për fejesën e vajzave, status ky që ndoshta në raste më të rralla mund ta kufizojë lirinë, e në këtë kontekst, edhe të drejtën e shkuarjes për lule:

    “Oj Florije honom, oj fodulle,

    pajtën Agim aga, a do vajsh për lule.

    Une do vej me kit shoçet,

    se mas ni jave do m’vajn bofçet.

    Ka çel xhethi i Vardishës,

    ne do shkojm për lule,

    a do vejsh ene tej,

    Florije fodulle,

    un do vej ta shoh Agim agën,

    m’prejtni ta pajti une babën,

    mos e pajt as nonën as babën,

    di javë mas Shënxhexhi do t’apën”.

    Kurbeti, bagëtia dhe ringjallja e botës bimore, në këto shpërthime lirike, ku është e pranishme edhe dashuria, janë temat e vazhdueshme përmes të cilave, këngëtari anonim popullor e paraqet të vërtetën e madhe, se kjo festë dashurie nuk ka të bëjë me çështje religjioze.

    Mikrotoponimet e ndryshme të rajonit të Veshallës, aty ku edhe u krijuan këto vargje, janë edhe një dëshmi se kjo festë me rrënjë në lashtësi, me kohë ka fituar edhe tipare autoktone të rajoneve ku jetojnë shqiptarët:

    “Do shkojna për lule ka ura,

    di mushim udhët me burra.

    Do shkojna për lule napër ara,

    kit gjemt e ri, do hecin para.

    Do shkojna për lule,

    se na ka dal vera,

    do vajn dhent ka kulla me shqerra.

    Do shkojm për lule,

    se na ka çel xhethi,

    do vejn gjemt e ri pi gurbeti”.

    Edhe poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci këtë ditë festive me karakter gëzimi, dashurie e hareje, e bëri pjesë të vargjeve të fuqishme lirike të poezisë, ndër më të bukurat të ciklit të dashurisë. Personazhja lirike e poezisë së tij, kushtuar Ditës së Luleve, kur takohet diku në mal me dashnorin, vendos të mos kthehet më me shoqet, prandaj edhe i porosit ato që t’u tregojnë prindërve të saj se atë në një përrua e “zuri gjarpushja”. Kishte raste kur e dashura shkonte me shoqet për lule, ndërsa i dashuri nuk kishte mundësi të jetë i pranishëm sepse ka ndodhur diku larg, në kurbet. Deri te “Gjuri i Caucave”shkohej edhe rrugës kah “Gjuri Keç”, prandaj në vargjet e një kënge përmendet edhe ky mikrotoponim, ku kalojnë vajzat për te vendi tradicional, që të rinjtë i grumbullonte ditën e luleve:

    “Po kënon bilbili, përmej gjuër t’keç, /a e di be Agim aga/ se kimi shënxhexh,/se kimi shënxhexh, kem për lule, /si shkove pa mu oj fodulle”.

    Ngjashëm me këtë rast, flasin edhe vargjet e një kënge tjetër, që në qendër të vëmendjes e kanë vajzën e dashuruar dhe të fejuar, e cila në mungesë të të fejuarit nuk ka shkuar për lule, ose ka shkuar në mënyrë më të fshehtë, e që udhëtimin e bën pak sa e ndrojtur, që dallon nga të tjerat:

    Oj Salije lule oj fodulle, / lule a ke kon tej për lule, / une nouk jom kon ashiqare, / jom cauc e dhonme,/ mi vejn marre.”

    Kjo ditë që i paraprin Shënjergjit, këtë festë e pasuron me elemente të reja, që u bënë tradicionale në botën shqiptare. Për këtë festë, siç rrëfenin pleqtë dhe plakat, të rinjtë të cilët ndodheshin në kurbet në vende më të largëta, vinin për pak kohë që të jenë pjesë e manifestimit, për ta shijuar këtë festë të bukur, që për shqiptarët mbeti krejtësisht e zhveshur nga religjioni. Ashtu si në shumë vendbanime tjera shqiptare, edhe në ato të Malësisë së Tetovës, të rinjtë, me kohë e kishin marrë hisen e vet nga kjo festë e natyrës. Në katundin Veshallë dhe Bozovcë të Malësisë së Sharrit, vajzat bashkë me djemtë, të orgabizuar dalin në natyrë të mbledhin lule.

    Karakteristikë e këtij manifestimi, që si duket është edhe unikale në botën shqiptare, është se në këtë takim, pas një udhëtimi të gjatë, përveç djemve të rinj e burrave, marrin pjesë vetëm vajzat, e assesi gratë e martuara. Është me rëndësi për këtë rast të përmendet se ky takim bëhej vetëm në një vend të caktuar, që me kohë e kishte fituar toponimin “Gjuri Caucave”(Guri i Cucave), i cili gjendet në kufirin që e ndan rajonin e këtyre dy fshatrave. Ky vend, me shekuj i pret këto të rinj të cilët që nga mëngjesi deri vonë, e kalojnë kohën duke biseduar, duke mbledhë lule, duke kënduar e duke hedhur valle.

    Një karakteristikë tjetër për këtë moment është edhe radhitja e luleve në ndonjë lëndë dege apo bime që në formë kurore, bashkë me lulet e radhitura, vajzat i venin në kokë dhe i mbanin ashtu deri në shtëpi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark