×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Profil i gjuhëtarit Kolec Topalli (1938-2018)

    Insajderi
    09 June 2023 - 21:29

    (Profil në shenjë të 85-vjetorit të lindjes)

    Gjuhëtar, diplomat, profesor, akademik. Ka lindur në Shkodër, ku ka mbaruar studimin fillor dhe atë të mesëm. U diplomua në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe më 1964. Ka përgatitur dy disertacione, një më 1986 dhe një më 1992.

    Ka punuar mësues në rrethet e Kukësit, të Lezhës, të Gramshit e të Krujës. Ndonëse shkrimet e para studimore i ka realizuar që në të shtatëdhjetat, ka nisur të publikojë me intensitet të shtuar vetëm pas rënies së monizmit në Shqipëri.

    Është një ndër autorët më produktivë shqiptarë. Interesimet e tij ishin në fushën e historisë së gjuhës. Në fushën e fonetikës historike ka shkruar monografi për theksin e shqipes, për diftongjet, për sonantet, për mbylltoret, për fërkimoret e për afrikatet, për hundorësinë, për shndërrimet historike të sistemin e zanoreve të shqipes, për dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të shqipes.

    Në sferën e gramatikës historike ka shkruar për përemrat dhe zhvillimin e tyre historik në shqipen, për nyjat e shqipes, për sistemin rasor. Kërkimet e tij në fushën e fonetikës historike i ka përmbyllur me veprën voluminoze „Fonetika historike e gjuhës shqipe“ (2005), ndërsa ato të gramatikës historike me veprën “Gramatika historike e gjuhës shqipe“ (2012). Ka përgatitur për shtyp edhe fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe me mbi tridhjetë mijë fjalë.

    Monografinë e parë e ka publikuar më 1995. Ka publikuar, ndërkohë, mbi 100 punime të revista të ndryshme në vend dhe jashtë vendit në pesë gjuhë të ndryshme. Monografia e tij për theksin është publikuar edhe në Itali, në gjuhën italiane. Është fitues i disa çmimeve kombëtare për kontributet në albanologji, përfshirë “Çmimi i albanologjisë“ (2008) dhe „Mësues i popullit“ (1993). Pas rënies së monizmit ka qenë sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992 – 1997) dhe këshilltar në Ambasadën e Shqipërisë në Itali (2006-2007).

    Ka punuar punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, ku vazhdon të jetë në cilësinë e koordinatorit shkencor. Kishte titullin e profesorit që nga viti 1994, ndërsa ka mbajtur lëndën e Fonetikës historike të gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës. Që nga themelimi, ishte anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Më 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ishte anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.

    Ka vdekur në maj të vitit 2018 në Tiranë. / Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark