×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Prokurori kërkon përjashtimin e gjyqtarit në rastin ku Skender Hyseni po akuzohet për mosraportim të pasurisë

    Insajderi
    07 June 2023 - 19:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokurori Paulin Pashku, të mërkurën, ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Sabit Sadikaj, në rastin ku Skender Hyseni, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës po akuzohet për mosraportim të pasurisë, duke e  vlerësuar të njëjtin si të njëanshëm në këtë rast gjyqësor.  

    Deri te kërkesa prokurorit Pashku për përjashtimin e gjykatësit Sadikaj, ka ardhur pasi gjatë dëgjimit të dëshmitarin Blerim Kelmendi, zyrtar në Agjensionin Kundër Korrupsion (AKK), gjykatësi Sadikaj të njëjtin e pyeti se, nëse zyrtari që deklaron pasurinë dhe nëse pasuria e tij blihet përmes institucioneve relevante, a është detyrimisht fshehje nëse pagesa bëhet përmes bankës.

    “Me sa e kam këqyr këtë lëndë pagesa është bërë përmes xhirollogarisë”, ka thënë gjyqtari Sadikaj.

    Lidhur me këtë pyetje prokurori Pashku tha se ka vërejtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Kërkoj përjashtimin e gjyqtarit nga kjo çështje, kjo është një pyetje që qartazi krijon njëanshmëri dhe kërkoj ndërprerjen e kësaj seance”, tha prokurori Pashku.

    Kundër kërkesës së prokurorit Pashku ishte mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Fatlum Podvorica.

    “Në bazë të shkresave të lëndës dhe provave të cilat prova edhe vet në aktakuzë i kishte propozuar prokuroria që të administrohen si prova në këtë shqyrtim gjyqësor ku edhe është bërë elaborimi i të njëjtave qoftë transferi bankar dhe fatura e blerjes së automjetit nga i mbrojturi i tij, e që gjykata mbi ato prova edhe parashtroj pyetjen ndaj dëshmitarit në rastin konkret”, tha Hyseni.

    Sa i përket deklarimit e avokatit Podvorica, i akuzuari Hyseni tha se pajtohet plotësisht.

    Pas deklarimeve, të palëve, gjykatësi Sadikaj tha se sa më shpejt që të jetë e mundur kërkesa do të ju dorëzohet kryetares së gjykatës për të vendosur.

    Paraprakisht, gjatë kësaj seance është dëgjuar, Blerim Kelmendi, zyrtar në AKK.

    Kelmendi gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se, është në dijeni për kallëzimin penal ndaj të pandehurit për mosdeklarimin e veturës të tipit “Wolsfagen” 2013 në vlerë 13 mijë e 300 euro, për të cilin tha së është nënshkrues dhe atë në cilësinë e drejtorit të departamentit dhe drejtor i agjencisë.

    Më pas, dëshmitari tha se deri tek informacioni kishin ardhur në bazë të një shorti, i cili është i përcaktuar me ligj për mosdeklarimin e pasurisë, ku zyrtari i lartë ( i akuzuari Hyseni) ishte në mesin e të përzgjedhurve që ju kishin nënshtruar këtij shorti, dhe pas zhvillimit të procedurë përkatëse të kontrolli të plotë kishin ardhur në përfundim që vetura në fjalë nuk ishte e deklaruar nga ana e zyrtarit në fjalë.

    Lidhur me këtë, dëshmitari Kelmendi tha se zyrtari i lartë ishte kontaktuar, i ishte kërkuar sqarime, kërkesës i ishte përgjigjur, ku i njëjti sipas tij, e kishte konfirmuar gjetjen  e agjencisë se vetura në fjalë është në pronësi të bashkëshortes së tij të cilën veturë sipas arsyetimit de fakto përmes autorizimit e shfrytëzojnë edhe fëmijët e zyrtarit.

    Dëshmitari Kelmendi tha se, sa i përket automjetit me të cilin Drita Hyesni (bashkëshortja e të akuzuarit) ka autorizuar personat tjerë dhe për ta si agjension ka konfirmu që e njëjta është pronare e automjetit në cilësi të pronares i ka autorizuar personat e tjerë.

    Sa i përket kësaj, Kelmendi tha se, zyrtari ka qenë i detyruar me deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës, ku Ligji për deklarim të pasurisë e përcakton që për këtë lloj të deklarimit zyrtari i lartë obligohet  të deklaroj pasurinë ekzistuese brenda 30 ditësh prej momentit që e ka marr detyrën.

    Ndërsa, ka shtuar se, në atë kohë nuk ishte paraparë një gjë e tillë që pas deklarimit të bëhet plotësimi.

    Tutje, Kelmendi tha se, i akuzuari Hyseni e kishte bërë deklarimin  në momentin e marrjes së pozitës në afatin ligjor, dhe pas deklarimit me rastin e kërkimit të sqarimeve i njëjti iu kishte përgjigjur brenda afatit.

    Në këto rrethana, përmes aktvendimit gjykatësi Sabitaj tha se seanca e sotme u ndërpre.

    Sa i përket seancës së radhës u shty në afat të pacaktuar dhe caktimi i së njëjtës do të varet nga përjashtimi apo jo i gjyqtarit nga kjo çështje juridio-penale.

    Ndryshe, lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze ndaj tij, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Hyseni kishte deklaruar se aktakuza është e paqëndrueshme dhe se është i pafajshëm.

    Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Fatlum Podvorica e ka njoftuar gjykatën se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Pas kësaj, gjykatësi Sadiku ka deklaruar se i akuzuari ka të drejtën që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, si dhe ka shtuar se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet.

    Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

    Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volksëagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

    Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kreysi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark