×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Prokuroria kërkon burgim efektiv për ish-zyrtarin që ndihmoi Luan Dalipin për tenderin 2 milionësh

    Insajderi
    23 January 2023 - 15:55

    Gjykata e Apelit, të hënën ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me anë të së cilës kërkohet dënim me burgim efektiv ndaj ish-zyrtarit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Xhemajl Syla, i dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë për keqpërdorim të informatës zyrtare. Kurse, mbrojtja ka kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim, ose të lirohet nga akuza.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 korrik 2022 e kishte dënuar Xhemajl Sylën me 2 vite burgim me kusht dhe 5 mijë euro gjobë, raporton Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësi referues Burim Ademi, bëri të ditur se Prokuroria Speciale ka parashtruar ankesë vetëm sa i përket vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu që të akuzuarit t’i shqiptojë dënim me burgim efektiv.

    Po ashtu, gjyqtari Ademi bëri të ditur se mbrojtja ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që të akuzuarin Syla ta lirojë për veprën penale me të cilën ngarkohet, ose ai aktgjykim të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

    Njëkohësisht, mbrojtja ka parashtruar edhe përgjigje në ankesën e Prokurorisë, duke kërkuar që të cilësohet si e pabazuar.

    Kurse, Prokuroria e Apelit ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Speciale të pranohet si e bazuar, kurse ankesa e mbrojtjes të refuzohet.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Mahmut Halimi ka thënë se qëndron në tërësi pranë ankesës dhe përgjigjes në ankesë, si dhe pranë të gjitha propozimeve që i ka paraqitur në to.

    Sipas tij, pasi ka përfunduar faza e vlerësimeve rreth tenderit të parë, Xhemajl Syla ka vërejtur parregullsi brenda komisionit.

    “Ky e ka pas detyrë të paralajmërojë udhëheqësin e vet, në këtë rast Valdrin Lluka. Valdrin Lluka e ka njoftu ministrin e atëhershëm të Industrisë. Me kërkesën e ministrit dhe me kërkesën e udhëheqësit të tij Valdrin Llukës, i akuzuari këtu prezent para juve ka refuzuar procesverbalin e vlerësimit dhe si rezultat i mungesës së nënshkrimit të tij ka ardhë deri tek anulimi i tenderit të parë”, ka shtuar tutje avokati Halimi.

    Ndërkaq, në lidhje me e-mailat e supozuara si prova, i njëjti ka thënë se nga Prokuroria Speciale nuk është marrë asnjë hap që të sigurojë burimin e provës, se prej nga vijnë edhe pse e ka pasur detyrim.

    “Provë e pambështetshme është secila provë që nuk i dihet gjeneza e saj”, ka thënë në fund avokati Halimi.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohej se më 5 dhjetor 2018, si person zyrtar, udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi më 30 prill 2013 ishte publikuar njoftimi për kontratë për tenderin në fjalë, i akuzuari Syla, gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator të vitit 2013, i ka dërguar Luan Dalipit, menaxher në kompaninë MDA, dokumente të brendshme të MTI-së dhe informacione lidhur me kushtet dhe kriteret për tender.

    Në bazë të këtyre informatave, vazhdon akuza, Dalipi i kishte ndryshuar pastaj kriteret e kontratës për përzgjedhjen e ekspertëve në këtë projekt, duke e përshtatur në atë mënyrë ofertën e kompanisë se tyre për tenderin në fjalë.

    Pas kësaj, sipas aktakuzës, Xhemajl Syla, si anëtar i komisionit për vlerësim të ofertave në këtë tender, më 24 shtator 2013 kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, e cila e obligonte që ta ruajë rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në vlerësimin e ofertave në procesin e prokurimit.

    Mirëpo, përkundër kësaj në aktakuzë thuhet se Syla në kundërshtim me deklaratën e nënshkruar, ka dërguar tek Luan Dalipi, informacione në lidhje me vlerësimin dhe poentimin e ofertave në këtë proces të prokurimit, duke e njoftuar për përparësitë e kompanisë MDA krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

    Ai akuzohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet.

    Shënim: Personat e përmendur në ketë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark