×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Prokuroria nuk i shpalosi me kohë dokumentet shfajësuese”, trupi gjykues konstaton “padrejtësitë”

    Insajderi
    08 February 2023 - 18:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ka arritur “fitoren e parë” ndaj Prokurorisë së Specializuar prej që rasti është transferuar tek Trupi Gjykues.


    Ky i fundit, ka vendosur në ankesën e ish-presidentit Thaçi në lidhje me materialet shfajësuese. Vendimi specifikon se Prokuroria e Specializuar ka dështuar në zbulimin me kohë të këtyre materialeve shumë të rëndësishme për mbrojtjen.

    “Trupi Gjykues KONSTATON se Prokuroria ka dështuar në përputhje të plotë me obligimet e saja sipas rregullës 103 të Rregullores në lidhje me kategoritë e materialit dëshmues të përmendura në paragrafët 15 dhe 23 dhe PRANON pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit”, thuhet në njërin prej paragrafëve të vendimit.

    Vendimi i Trupit Gjykues obligon Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të ndërmarrë disa veprime.

    Në përpithje me rregullin 110 të Rregullave dhe në ndërlidhje me rëndësinë e respektimit të rreptë dhe në kohë të detyrimeve, Trupi Gjykues obligon Prokurorinë që:

    Prokuroria drejtohet t’i trajtojë si prioritete detyrimet e saj për zbulimin si dhe të kërkojë kohë dhe burime në përpjesëtim me rëndësinë e çështjes apo materialit.

    Prokuroria drejtohet të miratojë një kuptim të gjerë të zbulimit të saj nga detyrimet sipas rregullit 103, siç është përshkruar më sipër në paragrafin 29; dhe

    Çdo kërkesë e Mbrojtjes për të shtyrë dëshminë e dëshmitarëve të Prokurorisë, materiali dëshmues i të cilëve u zbulua ose do të zbulohet në mënyrë të parakohshme, do të merret parasysh nga Paneli ku zbulimi i vonuar i materialit përkatës ka ndikuar dukshëm në aftësinë e Mbrojtjes për t’u përgatitur në mënyrë efektive.

    Akuzat e mëhershme për “fshehje” dhe “vonim” të materialeve shfajësuese:

    Janë një mori intervistash e dokumentesh që mbrojtja e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendon se Prokuroria i kishte fshehur e vonuar.

    Një prej tyre ishte intervista shfajësuese e ish-shefit të OSBE-së në Kosovë, Daan Everts.

    Përveç kësaj, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kishte përmendur edhe një intervistim të bërë nga Prokurori i Specializuar, të ish-kryeministrit, Bujar Bukoshi. Sipas mbrojtjes, ky i fundit kishte dhënë deklarata që për mbrojtjen mund të përdoreshin si dokumente shfajësuese.

    Avokati Keohe i Thaçit kishte akuzuar Prokurorinë që ndër të tjera, ajo kishte fshehur edhe një deklaratë shfajësuese të Departamentit Amerikan të Shtetit.

    “Ky nuk është incident i izoluar lidhur me atë që ata nuk kanë dorëzuar pasi që është edhe një letër marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i datës 4 maj të vitit 1999 nga Barbara Larkins, asistente e punëve legjislative drejtuar senatorit Michel. Çfarë i thonë një senatori në Senatin e SHBA-së? Nuk ka strukturë politike apo komandë efikase të UÇK-së. Ata i kishin këto komente.
    A mos e dorëzuan këtë? Jo. Me kënaqësi mund të ju jap një kopje të kësaj letre“, kishte thënë avokati Keohe.

    Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi kishte kërkuar që zbulimi i materialeve shfajësuese të mbikëqyret nga Tribunal apo një person i paanshëm dhe i jashtëm, mirëpo që kjo është refuzuar nga Trupi Gjykues.

    “Trupi Gjykues refuzon kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit për emërimin e një recensuesi të jashtëm të procesit të zbulimit të PSP-së si të panevojshme në rrethanat aktuale”, thuhet në vendimin e sotëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark