×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Promovohet libri i studiuesit rumun Marius Chelaru kushtuar Mitrush Kutelit

    Insajderi
    13 November 2023 - 22:30

    Veprimtaria e tretë e “Ditëve të Kulturës Shqiptare” do të zhvillohet të enjten, më 16 nëntor 2023, ora 15:30: promovimi e një libri të ri të shkrimtarit dhe kritikut letrar, Marius Chelaru, me titull “Mitrush Kuteli në Rumani”, botuar nga Shtëpia Botuese “A” e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”. Libri ka 430 faqe, me parathënie nga Dr. Luan Topçiu.

    Një numër materialesh botohen për të parë, të mbledhura në shtypin e kohës nga hulumtuesi rumun, Marius Chelaru. Materiale befasuese, të panjohura deri më tani, që hedhin dritë mbi formimin politik, ideologjik si dhe kulturor të Mitrush Kutelit. Materiali i përzgjedhur është nga fusha e ekonomisë, gjithashtu përfshin polemika kulturore, studime, recensione për librat e kohës, të cilat do të ndihmojnë, padyshim, studiuesit për të hedhur dritë mbi anët e panjohura, mbi dritë-hijet e personalitetit të Dimitrie Pascu-t (Mitrush Kutelit)

    Promovimi do të moderohet nga shkrimtari Cassian Maria Spiridon, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Iasi, dhe së bashku me autorin do të jetë i pranishëm deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës kombëtare shqiptare në Rumani, kryetari i ALAR, Dr. Radu-Cosmin Săvulescu, dhe Dr. Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR.

    Marius Chelaru është shkrimtar dhe kritik letrar, zëvendës kryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare” dhe kryeredaktor i revistës “Poezia” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë). M. Chelaru ka botuar shumë studime dhe artikuj kushtuar letërsisë shqipe si dhe disa libra. Disa syresh kanë parë dritën e botimit në Shtëpinë Botuese A, të ALAR. Vitin e kaluar, gjatë “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, ALAR promovoi në Iasi vëllimin “Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri më 1912”,

    Aktiviteti organizohet nga ALAR, në partneritet me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Iasi, me Bashkinë Ciurea dhe Shoqatën Kulturore-Humanitare “Fiii satului” dhe me Qendrën Kulturore “Cela Neamțu”, e cila është një partnere CNR-UNESCO.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2023 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark