E ardhmja e Cristiano Ronaldos te Manchester United është në dyshim pas raportimeve që ai ka kërkuar të largohet nga klubi nëse një ofertë e përshtatshme arrin këtë verë.
Ronaldo iu bashkua Unitedit nga Juventusi verën e kaluar, por ka informuar Djajtë e Kuq se dëshiron të largohet pas vetëm një sezoni të vetëm në Old Trafford.
Lajmi, i cili fillimisht u publikua nga The Times, kërcënon të prishë përgatitjet e United për sezonin e ardhshëm nën menaxherin e ri Erik ten Hag.
Eksperti i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano tani ka konfirmuar se Ronaldo dëshiron të largohet këtë verë dhe ka zbërthyer situatën aktuale në një video të gjatë shtatë minutëshe në kanalin e tij në YouTube .
Romano pretendon se ka verifikuar historinë “tronditëse” pasi ka folur me “shumë burime të afërta me Cristianon, të afërt me agjentin e tij Jorge Mendes dhe të afërt me familjen e Cristianos”.
“Realiteti është se Cristiano dëshiron të largohet nga Manchester United. Jorge Mendes ka qenë i qartë, ata duan të përpiqen të gjejnë një zgjidhje këtë verë”, ka thënë fillimisht Romano.
Unitedi nuk ka bërë ende asnjë nënshkrim të madh në afatin kalimtar të verës dhe Romano thotë se pasiviteti i klubit në treg e ka “zhgënjyer” Ronaldon, i cili e percepton atë si mungesë “ambicieje”.
“Ai është vërtet i zhgënjyer nga situata e përgjithshme e Manchester Unitedit, por në treg veçanërisht”, tha Romano.
“Më thonë se Cristiano e vlerëson Erik ten Hagun, ai është i bindur se është një menaxher shumë i mirë, njeriu i duhur për të rifilluar këtë projekt. Por, nuk mund të jetë vetëm menaxheri, ai duhet nga klubi, bordi dhe pronarët. Një mesazh dhe deklaratë vërtet e fortë në treg. Ata duhet të nënshkruajnë me lojtarë”.
“Më pëlqen menaxheri, e dua klubin, por nuk ndjej ambicie. Ky është mesazhi nga Cristiano”.
Më vonë në video, Romano pretendon se Ronaldo mendon se skuadra e Unitedit ka nevojë për “gjashtë ose shtatë” nënshkrime të mëdha.
“Cristiano është vërtet i lumtur me disa nga lojtarët në ekip. Por, ai është i bindur se nevojiten disa nënshkrime – gjashtë, shtatë lojtarë të rëndësishëm nevojiten në Manchester United”.
Romano shtoi gjithashtu se agjenti Mendes aktualisht është duke “punuar me shumë klube” për të gjetur një zgjidhje për Ronaldon këtë verë.
“Ai pati një diskutim me drejtorin sportiv të Bayern Munichut, Hasan Salihamidzic, por Bayerni shumë publikisht konfirmoi se ata nuk kanë ndërmend të nënshkruajnë Cristianon”.
“Është e vërtetë që Mendes pati një takim me pronarin e Chelseat, Todd Boehly, për të diskutuar rreth Cristianos, por mbani mend se Chelsea do të nënshkruajë vetëm lojtarë të kërkuar nga Thomas Tuchel”.
“Todd Boehly do t’i japë fuqi totale Thomas Tuchelit. Për momentin Chelsea është i zënë me shumë lojtarë të tjerë, jo me Cristianon”.
Romano shtoi se nuk ka gjasa që Ronaldo t’i bashkohet rivalit të tij jetësor, Lionel Messit në Paris Saint-Germain.
“Paris Saint-Germain nuk do të nënshkruajë me Cristianon. Që sot ky është pozicioni i tyre. Por, siç e dimë në treg, gjithçka mund të ndodhë”, tha Romano.
Manchester United thuhet se ka insistuar se Ronaldo nuk është në shitje këtë verë, ndërsa Romano ka thënë se kapiteni i Portugalisë nuk ka marrë ende një ofertë konkrete nga ndonjë klub tjetër dhe mund të mbetet ende në Old Trafford.
“Cristiano nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë klub deri sot. Pra, Cristiano nuk do të luftojë me Manchester Unitedin sepse ai ka një propozim, një ofertë të duhur dhe dëshiron të largohet menjëherë”.
“Ai dëshiron të dërgojë një mesazh, ai dëshiron të shohë ambicie. Dhe ai dëshiron të shkojë diku në rast se gjen një propozim. Por për momentin ai nuk ka marrëveshje me asnjë klub”, përfundoi eksperti i transferimeve. /Telegrafi/