×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pse PDK e çoi Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë në Gjykatën Kushtetuese?

    Insajderi
    21 February 2023 - 14:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore.

    Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetin e Qeverisjes së Mirë në PDK, Përparim Gruda.

    PDK ka kundërshtuar në këtë mënyrë miratimin e Ligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, pasi Komisioni i Venecias kishte gjetur mbi 30 vërejtje.

    Më 9 shkurt, kur Ligji kaloi në lexim të dytë në Kuvend, e ashpër në deklarata ishte Blerta Deliu, deputetja e PDK-së, parti kjo që votoi kundër.

    “Në politikë e mundshmja dhe e drejta ndahen nga një fije e hollë. Në një shtet ligjor, nuk do të duhej të kishte të mundshme, jashtë asaj që konsiderohet e drejtë. VV-ja ka provuar të ndërrojë këtë formulë. Të gjithë e kemi ditur se kjo iniciativë, se një gjë e tillë është asgjë më shumë se sa një hesap elektoral, e nuk ka të bëj as me drejtësinë e as me ligj. Këtë e ka vërtetuar edhe Venecia. Komisioni fatmirësisht e ka frenuar një tendencë të tillë, duke ia bërë të qartë kësaj qeverie që domeni shtetëror, nuk do të duhej të shndërrohej në domen partiak”, tha deputetja e PDK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Duke qenë në opozitë patën kohë të mjaftueshëm me propaganda rreth tyre, aq sa dikur filluan edhe vet me besu që ishte propagandë, derisa këta erdhën në pushtet. E tash menduan se e kanë shpikur ujin e nxhetë. Morën guximin me fy intelegjencën e popullit, duke e shitur këtë gjë që i kontribuon sundimit të ligjit. Krejt kjo e amniston krimin e korrupsionin”.

    “Prandaj, PDK-ja po ua heq dilemën. Ne jemi përgjegjësi për secilin cent që ka përfituar dikush. PDK është për llogaridhënie. Në 3 drejtime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.

    PDK atë ditë kishte njoftuar se Ligjin se do ta dërgojë për interpretim në Gjykatë Kushtetuese.

    Për këtë, deputeti i VV-së, Dimal Basha pati thënë se duhet pyetur votuesit e PDK-së “pse pse po e kundërshtojnë bash këtë ligj dhe pse bash PDK-ja”.

    “Megjithatë, kjo është strategji vetëm për vonim, se shpëtim nuk ka”, ka shkruar ai, transmeton Gazeta Insajderi.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka pranuar se Ligji ka pasur shumë vërejtje. Megjithatë, është lavdëruar me faktin që Venecia e ka njohur konfiskimin civil.

    “Gjashtë rekomandime kryesore që adresohen. Të nderuar, deputetë, opinioni për një projektligj është i rëndësishëm për qeverinë dhe qytetarët. Besoj që pajtohemi që duhet të shtojmë për aspektin e konfiskimit civil, dhe të fokusohemi që të implentohet legjislacioni në mënyrën penale. Jam këtu të shpreh vullnetin e qeverisë që secila kërkesë të adresohet në Komisionin për Legjislacion”, pati thënë ministrja Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vë në dukje se futja e konfiskimit civil është menduar masë e fuqishme dhe e nevojshme në rrethanat aktuale në Kosovë. Komisoni i Venecias duke krahasuar me Bullgarinë, ka përmendur procedurat civile për kthimin e të ardhurave nga krimi. I ka dhënë të drejtë konfiskimit civil. Një qasje e tillë mund të jetë mjet i vlefshëm për ta luftuar korrupsionin”.

    “Komisioni kërkon garanci të forta, për t’i rezistuar çdo presioni politik. Byroja të punojë me bazë ligjore e kritere të përcaktuara. Vendimi për nisjen e verifikmit duhet të jetë publik. Qenësore, që Byroja të pajisjet me personel të specializuar e të merret me raste komplekse”.

    Ndryshe, afati prej tetë ditësh për ta kontestuar këtë Projektligj ka përfunduar të hënën.

    Pas kalimit të këtij afati, projektligji procedohet për shpallje tek presidentja e Kosovës brenda afatit prej tetë ditësh nga dita e marrjes së ligjit.

    Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt.

    Bazuar në këtë Ligj të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

    Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark