×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Pushkë me dylbi, 56 fishekë, revole… Gjykata dënon Avni Deharin për arsenalin e armëve që mbante në shtëpi

    Insajderi
    13 April 2023 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në fund të vitit të kaluar, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari është dënuar me gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Gjoba iu shqiptua për armë-mbajtje pa leje. 700 euro dënim u dhanë për Deharin. Në pronën e tij u gjet një pushkë me dylbi, një kallashnikov, një revole e 56 plumba.

    Gazeta Insajderi

    Pushkë me dylbi, kallashnikov, revole dhe 56 fishekë. Këto janë vetëm një pjesë e arsenalit të armëve të zjarrit që ishin gjetur në vitin 2016, gjatë një bastisjeje që ishte kryer në shtëpinë e Avni Deharit, tash deputet i Kuvendit të Kosovës nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti.

    Kur policia e bastisi Deharin në mëngjesin e 30 gushtit 2016, aty gjetën edhe një ‘sprej’ me mbishkrimin “NATO”, derisa revolja është listuar e markës “Cervena zastava”.

    Krejt këto janë përshkruar në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të dhjetorit, 2022, me të cilin Gjyqtari Kushtrim Shyti e shpall fajtor deputetin Avni Dehari.

    Me gjithë numrin e armëve që ishin gjetur në pronën e tij në lagjen Zllatar të Prishtinës, sipas vendimit që e ka siguruar Gazeta Insajderi, Gjykata vendosi që deputetin Dehari ta dënonte vetëm me një gjobë prej 700 eurosh.

    Historia e arsenalit të armëve në pronën e deputetit Avni Dehari

    Bastisja që ishte kryer në gushtin e vitit 2016 në pronën e Avni Deharit, tash deputet i Kuvendit, rezultoi me kapjen e një arsenali ku përfshihej pos ‘sprejit’ me mbi shkrimin “NATO”, një revole “Cervena Zastav”, M-84, 25 fishek të kalibrit të po kësaj revoleje, një pushkë e gjatë me optikë (dylbi), një kallashnikov  dhe 31 dishek të tjerë që në vendim janë përshkruar si ‘të ndryshëm’, raporton Gazeta Insajderi.

    Do të kalonin gati pesë vite nga kjo bastisje derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë, të ngriste një aktakuzë kundër deputetit Dehari.

    Aktakuza kundër tij për këtë rast, për posedim të armëve pa leje u ngrit në korrikun e vitit 2021, nga Departamenti për Krime të Rënda, thuhet në vendimin që e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Seanca për këtë rast do të mbahej në nëntor të atij viti, dhe deputeti Dehari e pranoi fajësinë dhe aty u shpreh se ndihej keq për këtë vepër penale që e ka bërë.

    Prokuroria ishte pajtuar me pranimin e fajësisë, cka do ta pranonte edhe gjykata dhe vendimi për këtë rast pastaj u dha një vit më vonë.

    Në vendim, Gjykatësi Kushtrim Shyti, edhe pse aplikon një dënim me para prej vetëm 700 eurosh, konstaton se për të vendimi është i drejtë dhe i ligjshëm. Thotë edhe se kjo masë do ta parandalojë të dënuarin, në këtë rast deputetin Avni Dehari që në të ardhmen ta kryej ai këtë vepër, por do të ndikojë që edhe të tjerët të mos kryejnë vepër të njëjtë, thuhet në vendimin që e ka siguruar Insajderi.

    Avni Dehari i lindur në vitin 1947, në fshatin Sllupçan, rrethi i Kumanovës aktualisht është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet që ka shumicën parlamentare në vend.

    Në zgjedhjet e shkurrit të vitit 2021 ai mori mbi 50 mijë vota.

    Në vitet 80-të, sipas profilit që ka publikuar Vetëvendosje, ai ishte  anëtarësuar në Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës, dhe ka qenë anëtar i Redaksisë së “Zërit të Kosovës”, kryeredaktor (më 1991), anëtar i Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtar i Kryesisë së kësaj organizate.

    Nga 2001 deri në vitin 2007 ka punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Çështjeve Jorezidente. Në vitin 2007 ka qenë redaktor i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Lajm”. Nga viti 2008 deri në pension, më 2012, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka bërë punën e korrektorit gjuhësor.

    “Që nga fillimi ka mbështetur aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Avni Dehari deri më tash ka botuar 33 libra letrarë për fëmijë dhe për të rritur”, thuhet në profilin për të në faqen e kësaj partie. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark