11:12 - 13 Korrik 2021

Një nga rastet më makabre të dhunës dhe vrasjeve, viteve të fundit në Kosovë, ka qenë në dorën e një  policeje që ka hartuar dy deklarata të ndryshme, dhe një prokuror i cili se ka marrë seriozisht rastin dhe e kanë lënë të lirë dhunuesin që më vonë vrau viktimën. Të dytë ende janë në punë.

Më 11 korrik 2019, Kujtim Veseli 11-vjeçar u gjet i vdekur nën shkallët e një kompleksi banesor të lagjes ‘Xhemail Mustafa’ në Fushë Kosovë. Nja 7 muaj  më parë, në janar të 2019 nëna e të miturit rom, kishte lajmëruar Sefedin Osmanin si dhunues të dajlit, bashkë me babain e dhunuesit. Për këto 7 muaj asnjë zyrtar policor e prokuror nuk arriti ta arrestonte dhunuesin i cili kishte 26 kallëzime penale e 15 aktakuza, përfshirë njëra për vrasje. Priten 7 muaj, derisa dhunuesi ta kryente edhe një vrasje tjetër. Ta vriste Kujtimin. 

Shkruan: Vullnet Krasniqi

Policja anonime 

Procedurat disiplinore ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në këtë rast janë pushuar, meqë gjatë hetimeve nuk janë gjetur elemente të shkeljeve disiplinore. Në një vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, policja – tek e cila nëna e Kujtimit e kishte paraqitur rastin së bashku me babain e dhunuesin – rrëfehet në mënyrën më banale sesi ka raportuar tek prokurorja kujdestare Raze Loshaj. Policja, identitetin e së cilës shteti e mbanë anonim, dhe nuk i ka shqiptuar asnjë masë ndëshkimore, kishte hartuar dy raporte nga denoncimi që nëna e Kujtimit kishte bërë me 30 janar 2019. Nuk ka nevojë më shumë të komentohet kjo qasje banale e një policeje, por vetëm lexojeni se çfarë ka dëshmuar para panelit shqyrtues. Kjo police është ende në punë. 

Pra kemi të bëjmë me një police dhe një prokurore që “hahen” mes vete nëse e kanë dorëzuar apo pranuar një raport për denoncim dhunimi. Kjo më shumë sesa një lojë fjalësh është një lojë e pisët e Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës që e luajnë në rastet e denoncimi të dhunës seksuale. E sidomos nëse ai rast ka të bëjë me një pjestarë të një komuniteti pakicë sikurse romët. Kësisoj, loja e pisët vazhdon edhe pasi Kujtimi u vra. Le të supozojmë që prokurorja Raze Loshaj me të drejtë shpëton pa asnjë masë diciplinore, pasi policja e rastit nuk e kishte lajmëruar për denoncimin e nënës së Kujtimit. Si është e mundur që një prokurore e trajnuar qysh prej 2003-s nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe tash është prokurore e Prokurorisë Speciale përpos prokurore në Departamentin për të Mitur, nuk ka asnjë sukses tjetër në luftën e saj kundër dhunës dhe vrasjes së të miturve. 

Prokurorja me qindra trajnime, 65 mijë euro në bankë dhe asnjë rezultat në punë

Kur të kërkosh në google me emrin e prokurores Raze Loshaj, të dalin shumë artikuj rreth përfshirjes së saj në rastin e Kujtimit, por në asnjë rast tjetër – edhe nëse kërkon tek faqja 10 e kërkimeve – nuk del të jetë e përfshirë në ndonjë sukses. Ajo duket se ka pasur një vullnet të mirë të punës gjatë kohës 2002-2010. Atë kohë ka qenë duke kryer trajnime të shumta nga SHBA-ja. Madje përmendet edhe në disa kabllo të Wikileaks, në një rast të vitit 2008 kur kishte ndjekur një rast të trafikimit me qënie njerëzore. Përmendet edhe në një rast tjetër, atë të dhunimit të 16 vjeçares nga Drenasi, në të cilën ishte përfshirë gjithashtu një polic. Por duke e lënë anash mungesën totale të suksesit në punën e saj, dhe duke kontrolluar deklarimin e pasurisë së saj, dalin shumë pikëpyetje. Ajo ka deklaruar se merr në vit  24 mijë e 726 euro pagë nga buxheti i shtetit, për punën e saj si prokurore. Prej 2013-s kur punësohet në Prokurori e deri në vitin 2021 del se shteti ka harxhuar afro 200 mijë euro për një prokurore e cila nuk ka asnjë sukses në lëminë e saj. E megjithatë, kjo prokurore ka arritur që të ketë në bankë, fiks 66 mijë e 850 euro para kesh në xhirollogarinë e saj private. Shiko deklarimin e plotë të pasurisë që prokurorja Raza Loshaj ka bërë për vitin 2021, ndërsa fotoja më poshtë është vetëm pasurija e saj në para të gatshme.

Megjithatë pasuria e kësaj prokurore mbetet asgjë nëse e krahason me atë të kolegut të saj, Ruhan Salihu. Përtej pasurisë, neglizhenca e tij, është faktori kryesor që ka quar në vrasjen e Kujtimit. 

Prokurori që liroi dhunuesin i cili më vonë vrau Kujtimin, merret me futboll dhe bletari 

Në prill të vitit 2019, nja 3 muaj para se Kujtim Veseli të vritej, prokurori Ruhan Salihu, ishte kontaktuar nga Polcia se ishte arrestuar Sefedin Osmani, dhe se i njejti e kishte pranuar se kishte dhunuar Kujtimin. Prokurori Ruhan Salihu e kishte ditur këtë fakt, pasi i kishte treguar Policia, por ai nuk kishte urdhëruar që të arrestohet Sefedin Osmani (përkundër që ai vet e kishte pranuar se e kishte dhunuar Kujtimin) por e kishte lënë të lirë. 

Tre muaj më pas, Sefedin Osmani e kishte vrarë Kujtimin. Për krejt këtë, ky prokuror ishte dënuar vetëm me masën disiplinore ‘zbritje e pagës në 30% për 6 muaj”. Zbritje në pagë për një prokuror që ka liruar dhunuesin? Ky prokuror është ende në punë. Ende mund të lirojë të tjerë dhunues që mund të bëhen vrasës. Por i njejti ende merr pagë nga shteti. 22 mijë euro paguhet nga buxheti i shtetit. Shteti pra paguan një lirues të vrasësit, teksa ky lirues i vrasësve e i dhunuesve, merret edhe me profesione të tjera. Punon edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës.  është kryetar i Komisionit për regjistrimin e klubeve dhe lojtarëve, ku paguhet nga Federata e Futbollit. Përtej kësaj ky prokuror bashkë me bashkëshorten që është gjithashtu prokurore, merren edhe me bletari. Një çift prokurorësh që punën e tyre në Prokurori e bëjnë pa asnjë sukses, madje me skandale, dhe iu del kohë të merren edhe me profesione të tjera. 

Shteti në vend që të t’ia heq 30% të rrogës, do të duhej ta përjashtonte automatikisht këtë porkuror. Ta linte të merrej me futboll ose bletari. Por nuk e bëri. Nuk po e bënë as sot. E vrasjet dhe dhunimet po vazhdojnë të dalin në pah çdo ditë. Kujtimi mund të jetë një kujtim i harruar për rastet që mund të vijnë pas tij. Arsyeja: këta prokurorë që nuk bëjnë asgjë.