×
  • Lajme
  • Insajderi

    ‘Qeveri praktikantësh’, premtimi i Kurtit për qindra inspektorë pune përfundon në dhjetë praktikantë

    Insajderi
    30 August 2022 - 14:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në vitin 2020, i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, derisa fliste për programin e tij, kishte premtuar kujdes të veçantë për punëtorët.

    Sipas tij do të punohet vetëm 8 orë në ditë e 40 orë në javë. Ndërkohë pati thënë se për të kontrolluar një gjë të tillë do të angazhonte rreth 400 inspektorë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Që nga ajo kohë, ky numër jo që nuk është plotësuar, por në Inspektoratin e Punës janë angazhuar vetëm praktikantë.

    Së paku kështu tregon një njoftim i bërë së fundmi në faqen e OJQ Lens.

    “Sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Inspektorati i Punës dhe OJQ Lens, për sistemimin e praktikantëve nga programi ius i projektit “Promovimi i Punës së Dinjitetshme”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.  

    Sipas njoftimit “Hekuran Nikçi, Kryeinspektor i Inspektoratit te Punës dhe Driton Zhubi, Drejtor Ekzekutiv i Lens, u zotuan të bashkëpunojnë për avancimin e të drejtave të punës duke ngritur kapacitetet e institucioneve dhe profesionisteve të rinj”.

    “Në këtë cikël të programit ius do të sistemohen gjithsej 10 praktikantë, juristë të rinj, pjesa më e madhe e tyre ne Inspektorat të Punës”, zbulon njoftimi i LENS.

    Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës në maj të këtij viti e ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

    Në komunikatën e Qeverisë bëhej e ditur se Nikçi është emëruar në këtë pozitë për një mandat 4 vjeçar.

    “Me vendimin e parë të miratuar në mbledhjen e sotme, me propozimin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është emëruar Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Republikën e Kosovës. Sipas vendimit, z. Hekuran Nikçi është emëruar në këtë pozitë për një mandat katër vjeçar”, thuhej në njoftim.

    Më pas, lidhur me këtë vendim – Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka vlerësuar së emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm.

    Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshme që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

    Në raportin që ka siguruar Gazeta Insajderi, KPMShCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes se Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

    Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji.

    Rekomandimi i këshillit obligon Qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark