×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Hoti rikthen njeriun e LDK-së në krye të Këshillit të Sigurisë

    Insajderi
    21 September 2020 - 08:46

    Rreth 400 ditë pas shkarkimit nga detyra, Shpend Tërdevaj është rikthyer sërish në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

    Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, ka vendosur ta riemërojë Tërdevajn në pozitën e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, rreth një vit pasi ai ishte shkarkuar nga e njëjta pozitë me vendim të Qeverisë Haradinaj.

    Emërimin e njeriut të afërt me LDK-në në pozitën e Sekretarit të KSK-së e propozoi kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

    “Atëherë në bazë të procedurave ligjore, pasi janë përmbyllur të gjitha, unë propozoj para kabinetit që Shpend Tërdevaj të emërohet në këtë pozitë”, ka thënë kryeministri Hoti, para se ta hidhte propozimin e tij në votim.

    Propozimi i shefit të ekzekutivit u votua unanimisht nga kabineti qeveritar, raporton Gazeta Insajderi.

    Paraprakisht, për këtë pozitë të lartë të nënpunësve civil u zhvilluan procedurat rekrutuese nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky dikaster qeveritar propozoi një listë të ngushtë prej tre emrave, të përbërë nga: Shpend Tërdevaj, Arbër Hadri dhe Nisim Mesushta.

    Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, deri tek përzgjedhja e tre kandidatëve të suksesshëm për pozitën e Sekretarit të KSK-së u zhvilluan procedura në pajtim me dispozitat ligjore.

    “Për këtë pozitë, Komisioni ka vlerësuar në mënyrë detale 17 aplikacione dhe prej tyre pesë janë selektuar për listë të ngushë. Komisioni, në bazë të rezultateve sipas intervistës, ka rekomanduar këta tre emra: Shpend Tërdevaj, Arbër Hadri dhe Nisim Mesushta. Në pajtim me Ligjin dhe Rregullorën, kryeministri i propozon qeverisë njërin prej kandidatëve të preferuar”, ka deklaruar ministri Veliu.

    Shpend Tërdevaj më parë ka qenë funksionar i Lidhjes Demokratike. Në vitin 2007, ai kishte garuar për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e LDK-së, ndërkaq nga 2007 deri më 2010 në Qeverinë Thaçi 2 – pjesë e së cilës ishte edhe LDK – ai ishte emëruar zëvendësministër i MAPL-së.

    Marrëdhënia e tij me pushtetin e LDK-së kishte vazhduar edhe më vonë, kur ishte emëruar për herë të parë në pozitën më të lartë udhëheqëse të KSK-së.

    Për herë të parë në pozitën e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Tërdevaj ishte emëruar më 22 mars të vitit 2017 me propozimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

    Por, ish-funksionari i LDK-së ishte shkarkuar nga kjo pozitë rreth dy vjet më vonë nga Qeveria Haradinaj, në muajin korrik të 2019-s.

    Këshilli i Sigurisë së Kosovës, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe kontributin e tij për stabilitetin rajonal. Ajo rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. /Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark