Drejtimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, iu besua ish-drejtuesit të Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje, Nazmi Mikulovci. Dy muaj pasi që Kryeministri Albin Kurti me vartësit e tij e vizitoi Mikullovcin në zyrën e tij të re, e ku do ta lavdëronte për sukseset, AKP-ja humbi arbitrazhin në rastin e “Sharr Cemit” dhe pagoi afro 1.8 milionë euro. Plus që shpenzoi në këtë rast që e humbi afro 700 mijë euro të tjera në një firmë tjetër private për shërbime ligjor
Visar Duriqi
I rrethuar nga dy vartësit e tij, Ministja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e Hekuran Murati, Ministër i Financave, Kryeministri Albin Kurti në janar të këtij viti vizitoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Lajmin në publik e nxorën që aty u fol për sukseset e Bordit të ri të AKP-së.
Këtë bord tash e drejton Nazmi Mikulovci, që dikur dilte nëpër konferenca shtypi bashkë më Kurtin në opozitë, si drejtuesi i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.
Derisa po flisnin për suksese, një proces arbitrazhi kundër AKP-së po vazhdonte. Dy muaj pas trumbetimit të sukseseve, AKP-ja e humbi rastin e arbitrazhit me “Sharr Cemin”, shkruan Gazeta Insajderi.
AKP-ja i ka thënë Gazetës Insajderi, se më 7 mars 2022 Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit me shumicë të votave (dy në favor dhe një kundër), kishte vendosur që “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesi i “Sharr Cemit” ka të drejtë dhe e fiton rastin. AKP-ja humb.
Gjykata e arbitrazhit vendosi që AKP-ja duhet të ia paguaj “Sharr Beteiligungs GmbH”, 1 milion e 850 mijë euro.
Mbi 400 mijë euro janë pagesë për shpenzimet që i pati kompania në arbitrazh kurse mbi 1 milion e 350 mijë euro si rimbursim i pjesshëm i interesit ligjor dhe shpenzimeve të tjera të kompanisë të shkaktuara në normën e thjeshtë të arbitrazhit me 4 % në vit nga data e këtij vendimi deri në pagesën e plotë.
Për 23 ditë, nga vendimi i arbitrazhit AKP-ja me kryetar bordi ish-funksionarin e lartë të Vetëvendosjes, Nazmi Mikulovci, do të nxirrte vendimin që ta paguante këtë dënim.
“Me datë 30 mars 2022 Bordi i Drejtorëve i AKP’së ka nxjerr vendim që të bëjë pagesën sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit, i cili vendim është i formës së prerë dhe se mos ekzekutimi i tij do e ekspozonte AKP që të paguaj kamata shtesë prej 4% në baza ditore. Si rrjedhojë e kësaj AKP me datë 15 prill 2022 e ka finalizuar transaksionin bankar në xhirollogarinë e Sharr B konform vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetwn Insajderi.
Në shkurt të vitit 2019, kur Telekomi i Kosovës do të shkëpuste kontratën me kompaninë Z-Mobile që po ashtu ka fituar një rast arbitrazhi afro 30 milionë euro, deputeti i atëhershëm i VV-së, tash Ministër i Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare në VV, Fatban Bunjaku do të dilnin në një konferencë.
Se çka ndodhi në zhvillimet në Telekom, Vetëvendosje do ta fajësonte Qeverinë, atëkohë e drejtuar nga Ramush Haradinaj si Kryeministër. Rastin e 30 milionë eurove nga arbitrazhi, Vetëvendosje do ta cilësonte si gjobë.
“Cilësia e shërbimit është degraduar së tepërmi dhe resurset e Valës janë mbishfrytëzuar nga Z-Mobile. Vala e Telekomit ka humbur nga kontrata me Z-Mobile 9-11 milionë euro në vit si pasojë e të hyrave të munguara, zhvatjes së abonentëve, shitjen e shërbimeve nën kosto dhe praktikat e tjera “dumping” nga Z-Mobile, ndarja që përllogaritet vetëm nga raportimi i Z-Mobile e jo nga barazimi i të dhënave të dyanshme, si dhe 30 milionë gjobë nga arbitrazhi”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes.
AKP-ja nuk po e kërkon asnjë ‘fajtor’ për humbjen e arbitrazhit
Pos pagesës prej mbi 1 milionë e 850 mijë eurosh për rastin me “Sharr Cemin”, AKP ka paguar edhe afro 700 mijë euro për përfaqësim ligjor po në këtë rast.
“Firma Ligjore që e ka përfaqësuar AKP në këtë kontest është “Squire Patton Boggs “me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetwn Insajderi dhe tregohet se vlera e kësaj kontrate është 699 mijë euro, kurse deri më tani, AKP i ka ekzekutuar 679 mijë euro dhe ka mbetur edhe pagesa e fundit sipas kontratës pa u ekzekutuar në shumën prej 20 mijë eurosh.
Javën që shkoi Gazeta Insajderi, raportoi për angazhimin e të njëjtës firmë edhe nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, të drejtuar nga Albulena Haxhiu, proces i cili me një ‘gabim’ që kishte bërë kjo ministri i kushtoi buxhetit edhe mbi 270 mijë euro më shumë.
Edhe pse vendimet që i mori AKP-ja në raport me “Sharr Cem”-in ishin të bazuara në raporte auditimi që kishin ngritur dyshime serioze për mos-përmbushje të kontratës nga ana e kompanisë që privatizoi këtë ndërmarrje, humbjen e rastit që i kushtoi mbi 1.8 milionë eurosh, nuk do ta ndjek tutje se faj i kujt ishte.
“AKP gjatë gjithë periudhës sa ka zgjatur kontesti ka kërkuar raporte të punës nga firma ligjore, si dhe të gjitha parashtresat, mbrojtja në padi, kundër padia e AKP-së dhe seancat gjyqësore që janë mbajtur përkitazi me këtë rast AKP i ka monitoruar, me ç’rast sa i përket kualitetit të përfaqësimit të AKP-së nga firma ligjore Squire Patton Boggs, AKP nuk ka gjetur ndonjë mangësi apo lëshim për tu adresuar”.
“Megjithatë, Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit sipas bindjes së tyre ka vendosur që investimet e kryera nga ana e blerësit në Republikën e Maqedonisë së Veriut të njihen si investime në kuadër të shitblerjes së Ndërmarrjes Sharrcem në Han të Elezit”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Insajderin.
Historiku i një privatizimi me shumë telashe me vlera milionëshe
“Sharr Cem”, fabrika më të madhe të çimentos në Kosovë që u ble në vitin 2010 për 30 milionë euro nga firma greke, “Titan Group”. Asokohe, para privatizimit, veç fitimi vjetor i “Sharr Cem” vlerësohej të ishte rreth 20 milionë euro.
“Më 9 dhjetor 2010, Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe SharrB nënshkruan Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve (MSHA) të ndërmarrjes SharrCem me seli Hani i Elezit me një çmim të përgjithshëm të blerjes prej 30.1 milionë euro, dhe, me kusht që kushtet e tregut të mbeten materialisht të pandryshuara, të implementoj një “program investimi” 5-vjeçar, me një vlerë të parashikuar prej 35 milionë eurove”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Insajderin.
Pesë vite pas këtij privatizimi AKP-ja i kishte shkruar SharrCem-it duke e informuar se afati për përmbushjen e obligimeve investuese sipas MSHA-së kishte skaduar një më 9 dhjetor 2015.
Pas këtij komunikimi me firmën, AKP-ja në vitin 2016 do të angazhonte firmën ndërkombëtare të auditimit “BDO” për të kryer “një auditim për të përcaktuar nëse SharrB kishte përmbushur zotimet e veta për investime në kuadër të MSHA”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Në fund të atij viti BDO publikoi raportin e auditimit dhe në ‘Raportin e Parë’ është vënë në dukje se SharrCem kishte raportuar 35,170,654.51 euro në investime ndërmjet periudhës 9 dhjetor 2010 dhe 31 dhjetor 2015.
Megjithatë, BDO ka arritur në përfundim se disa nga këto investime të raportuara nuk mund të “klasifikoheshin si investime kapitale për përmbushjen e marrëveshjes së zotimit për investime.”
Raporti vuri theksin në veçanti te 7 milionë 891 mijë eurot që ishin paguar për blerjen e aksioneve në tri kompani, Rudmak DOOEL (“Rudmak”), MillCo DOOEL Shkup (“MillCo”) dhe Cement Plus shpk (“Cement Plus”), si dhe afro 1.5 milionë euro të tjera që u shënuan nga SharrCem si “Investimet në vazhdim”.
Për këtë të fundit, u konstatuan nga BDO se nuk janë investime kapitale në kuptimin e MSHA’së.
225,757.34 euro në investime të raportuara që ishin “faturuar dhe kontraktuar” pas 9 dhjetorit 2015 deri më 31 dhjetor 2015 u përjashtuan gjithashtu nga BDO.
Si e tillë, BDO i ka konstatuar “investimet kapitale të pranueshme që nga 9 dhjetori 2015” të jenë pak më shumë se 25.5 milionë euro.
Në relacion me këtë “Sharr B” kishte ngritur shqetësimet e saj se mos përmbushja e pjesës tjetër të investimeve kishte rezultuar si shkak i vështirësive në kushtet e tregut që kishin ndodhur në Republikën e Kosovës.
Më 31 korrik 2017, AKP-ja e ka njoftuar SharrCem-in se Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte vendosur të angazhojë “një firmë prestigjioze audituese ndërkombëtare” për të analizuar kushtet e tregut që mund të ndikojnë në zbatimin e programit të investimeve në kuadër të MSHA-së.
Më 26 janar 2018, AKP-ja kishte lidhur kontratë tjetër me BDO-në për të “konstatuar nëse ka ndonjë ndryshim të kushteve të tregut i cili mund të ketë ndikim në realizimin e investimeve kapitale nga blerësit e Ndërmarrjes së Re “Sharrcem” Hani i Elezit”.
Në konkluzionin e raportit të saj të përgjithshëm, BDO ka konstatuar se “nuk ka pasur ndonjë ndryshim material në kushtet e tregut që mund të ketë ndikuar në realizimin e investimeve kapitale nga blerësi i Ndërmarrjes së Re ‘Sharrcem’ sh.p.k, Han i Elezit”.
Më 23 nëntor 2018, Bordi i Drejtorëve të AKP-së vendosi që SharrCem të paguajë 9,441,768,83 euro “për diferencën e mosplotësimit të investimeve” dhe caktoi afatin e pagesës “60 ditë pune pas njoftimit”.
“Pas marrjes së vendimit nga AKP-ja, SharrCem dhe “SharrB” i kanë shkruar ndaras AKP-së, duke pohuar se “SharrCem” nuk ishte palë e MSHA-së dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë detyrim sipas kësaj marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e AKP dërguar Insajderit.
AKP-ja nuk ishte pajtua me qëndrimet e tyre, dhe më 30 janar 2019, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ndryshoi vendimin e mëparshëm duke theksuar se “SharrB” dhe “SharrCem” do të paguajnë në lidhje me mospërmbushjen e investimeve.
Të pakënaqur nga ky zhvillim Sharr Beteiligungs GmbH më 29 janar 2019 kishte dorëzuar njoftimin për arbitrazhin, proces që e fitoi në mars të këtij viti dhe pagesat iu bënë nga AKP-ja, në vlerën mbi 1.8 milionë euro. /Gazeta Insajderi