18:25 - 21 Prill 2021

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë rreth 20 milionë euro për sektorët e prekur nga pandemia COVID-19. Rreth 8.5 milionë euro u ndan shtesa për skemat sociale dhe pensionale, 6 milionë bizneseve të prekura nga masat e fundit të ekzekutivit dhe 5 milionë euro të tjera për sektorin shëndetësor dhe sigurisë.

Derisa i bëri të ditura detajet e këtyre vendimeve ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se subvencionimi për bizneset e prekura nga masat e fundit do të mbulohen deri në 50 për qind të pagës dhe qirasë. Ai bëri të ditur se shtesa për mjekët dhe infermierët do të jetë 150 euro, ndërsa për policët 100 euro.

“Përmes këtij vendimi bëhet ndarja e mjeteve buxhetore në vlerë totale prej 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve të afektuara nga disa prej masave restriktive të vendosura nga qeveria… Përmes këtij vendimi ndajmë mjetet financiare shtesë për pagesat e shtesave në sektorin e shëndetësisë dhe sigurisë për muajin prill dhe maj, në vlerë totale 5 milionë e 255 mijë euro… Shuma e shtesës mujore është 150 euro bruto për mjekët dhe infermierët dhe 100 euro bruto për stafin mbështetës teknik në institucionet shëndetësore publike të angazhuar në betejën kundër COVID-19. Për sektorin e sigurisë në vlerë rreth 1 milionë euro… Përmes këtij vendimi aprovohen ndarja e mjeteve buxhetore në shumë 8.5 milionë euro si dhe miratohen kriteret shtesë për skemat sociale dhe pensionale për muajt prill, maj dhe qershor të këtij viti për këto dy grupe. Për përfituesit nga skemat e ndihmës sociale që do të përfitojnë një pagesë shtesë mbi 30 për qind të shumës së rregullt që marrin, ndërsa për përfituesit e skemave pensionale që marrin më pak se 100 euro në muaj, do të aplikohet një shtesë mujore ashtu që pensioni dhe shtesa të arrijë 100 euro në muaj për secilin nga përfituesit e skemave pensionale”, tha ai.

Në mbledhje e sotme, qeveria emëroi edhe anëtarët e bordit të Telekomit, të cilët i bëri të ditur kryeministri Albin Kurti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës për drejtor në Bordin drejtues të Telekomit të Kosovës emëron këta kandidatë. Kryesues Shpëtim Dobra dhe anëtarë Sanie Thaçi, Floria Jeliu, Mimoza Vila, Agim Muqaj dhe Remzi Kelmendi”, tha ai.

Qeveria miratoi edhe projektligjit për ndryshimin dhe plotësim të Ligjit për Përgjegjësinë disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Po ashtu Kuvendit iu propozuan emrat e anëtarëve për Komisionin për dhënien e provimit të Jurisprudencës.