×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria shkel marrëveshjen, Telekomit mund t`i bllokohen përsëri llogaritë 

    Insajderi
    29 September 2020 - 18:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në takimin e 31 korrikut mes kryeministrit Avdullah Hoti, kryetarit të bordit të Drejtoreve të Telekomit, Mehmet Berisha, ministrin e Zhvillimit Ekonimik, Blerim Kuqi ishte arritur marrëveshje që të zbllokohen të gjitha llogarite bankare të Telekomit.

    Në atë takim palët ishin dakorduar që të bëhet pagesa e borxhit ndaj Dardafon.net, më së largu deri me 30.10.2020.

    Sipas asaj që ishin pajtuar palët, në rast të mos respektimit të marrëveshjes, llogaritë bankare të Telekomit do të bllokoheshin përsëri dhe Përmbaruesi do të zbatonte të gjitha Procedura e Ligjit për Procedurën Përmbarimore.

    Që nga ai takim, nuk është ndërmarrë asnjë hap.

    Përfaqësues të kompanisë Dardafon.net, kanë deklaruar për Insajderin se borxhi nuk ka filluar të paguhet dhe se nuk kanë pasur asnjë komunikim tjetër me Telekomin e Ministrinë e Zhvillimit Ekonimik.

    “Në takim e 31 korrik 2020 ne jemi dakorduar që të bëjmë zhbllokimin e llogarive me të vetmin qëllim që të i jap kohë Telekomit që të del me propozim për pagesën e borxhit. Që nga ajo kohë, ne nuk kemi pas asnjë takim, bisedë apo propozim nga Telekomi i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Dardafon.net.

    Por, lidhur me këtë cështje nuk janë deklaruar as zyrtarë të Telekomit të Kosovës, as zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ani pse gazeta ka pritur disa ditë për përgjigje.

    Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës, i ishin bllokuar llogaritë më 15 korrik nga përmbaruesi privat si pasojë e borxhit prej rreth 25 milionë eurosh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh, për rastin me Z-Mobile.

    Vendimi për bllokim kishte ardhur pasi Gjykata Themelore Prishtinë ia njohu të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

    Me bllokimin e këtyre llogarive, rrezikoheshin pagat e muajit korrik për mbi 3 mijë e 500 punëtorët e Telekomit.

    Zhbllokimin e llogarive të Telekomit, e pati ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerim Kuçi.

    “Nga nesër llogaritë do t’i kthehen normalitetit dhe jemi të përkushtuar që Telekomi i Kosovës të operojë me përformancë të lartë. U bëjmë thirrje punëtorëve të Telekomit që të qetësohen dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë të kësaj ndërmarrje”, ka shkruar ai.

    Kontesti mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon.net ka të bëjë me marrëveshjen e vitit 2009, sipas së cilës “Z mobile” do të ishte operator i telefonisë mobile “Vala” me mbi 200 mijë numra.

    Dardafon.net më vonë kishte kërkuar numra shtesë dhe ofrimin e shërbimeve 3G dhe 4G. por që kërkesa e tyre ishte refuzuar nga ndërmarrja publike.

    Mospajtimet mes tyre përfunduan në Arbitrazh. Tribunali i Arbitrazhit, në dhjetor 2016 kishte vendosur në favor të Dardafonit duke e obliguar Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të demit.

    Një vit me vonë u njoftua se Telekomi dhe Dardafon kishin arritur marrëveshje që rreth vendimit të arbitrazhit. Marrëveshja ishte zbatuar pjesërisht derisa borxhi kishte mbetur rreth 25 milionë euro, për të cilat u bllokuan llogaritë e Telekomit në muajin korrik të këtij viti. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark