×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Qytetarët aktiv” kërkesë Komunës: Parku i Aventurave të ndërtohet jashtë zonës së mbrojtur të Gërmisë

    Insajderi
    26 November 2020 - 22:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Grupi “Qytetarët aktiv” kanë dorëzuar kërkesë asamblistëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës që të rishikohet projekti “Parku i Aventurave në Parkun e Gërmisë”.

    Ky grup i qytetarëve ka kërkuar që ky projekt të rilokohet jashtë zonave të mbrojtura të Gërmisë pasi që ende nuk është aprovuar Plani Menaxhues i Gërmisë, raporton Gazeta Insajderi.

    “Ne kërkojmë që projekti Parku i Aventurave i cili destinohet për Peizazhin e Mbrojtur Gërmia të rilokohet jashtë zonave të mbrojtura të Gërmisë, përderisa ende nuk është aprovuar Plani Menaxhues i Gërmisë, i cili sipas raportit të IKMN-së përcakton kahjet e zhvillimit, mënyrën e kryerjes së mbrojtjes, shfrytëzimin dhe menaxhimin e zonës së mbrojtur”, thuhet në kërkesën e tyre.

    Në kërkesën e tyre ata kanë renditur pesë pika që t’i rishikojnë rreth ndërtimit të Parkut të Aventurave në Parkun e Gërmisë.

    Njëkohësisht ne kërkojmë t’i shqyrtoni pikat e mëposhtme të cilat janë më të detajuara në raportin e bashkangjitur:

    1. Të shqyrtohet leja mjedisore komunale e cila nuk i përfillë rekomandimet e IKMN-së por vetëm mendim/pëlqimin e AMMK-së i cili bie ndesh me rekomandimet e IKMN-së.

    2. Kërkesë sqarimi pse projekti iniciohet nga Drejtoria e Kulturës ku sipas rregullores së brendshme kompetencat dhe përgjegjësitë i takojnë Drejtorisë së Parqeve. Vlen të ceket se ndërtimi i Parkut të Aventurave në Parkun e Gërmisë nuk përfshihet as në strategjinë e turizmit për komunën e Prishtinës për periudhën 2018-2022.

    3. Të shqyrtohet se si është dhëne leja mjedisore pa u identifikuar një hapësire për parking dhe plani menaxhues i parkingut për këtë Park të Aventurave, ku rritja e frekuentimit të veturave në këtë lokacion ndikon në Mjedis dhe shkakton kaos në trafik.

    4. Të shikohet mungesa e dëgjimit publik për inicimin e këtij projekti si dhe informatat e çmimores për hyrjet në këtë park si dhe destinimi i fitimeve.

    5. Të rishikohet Raporti i Vlerësimit mbi Ndikimin në Mjedis.

    Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Sport Marketing kanë arritur marrëveshje për Parkun e Aventurave i cili do të ndërtohet në Gërmisë.

    Parku i Aventurave do të bashkë financohet nga Komuna e Prishtinës dhe Agjensioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe do të menaxhohet nga ndërmarrja publike “Sport Marketing”.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një konference për media kishte thënë se ky projekt do të zë rreth 800 hektar në hapësirën e Gërmisë.

    “Ne kemi pas diku rreth 800 hektarë në hapësirën e Gërmisë, por që nga momenti kur e kemi shpallur si peisazh të mbrojtur, Germia i ka 2000 hektarë, që do të thotë se ndalohen ndërtimet, ndalohen të gjitha aktivitetet të cila do ta dëmtonin në një mënyrë apo tjetër këtë peisazh të mbrojtur. Sigurisht kemi diskutuar me plot organizata jo qeveritare ku edhe kemi nënshkruar një kontratë me ËËF për ndihmën rreth menaxhimit të parqeve të tilla, për peisazhin e tillë, pra për periudha afatgjate. Ideja e këtij projekti nuk është që të prekim ndonjë dru, ideja është që t’i mësojmë për këto aktivitete fëmijët se sa e mirë është natyra. Vlera e këtij projekti është rreth 100,000 euro, do të jenë diku rreth 67 elemente të ndryshme të cilat do të përdoren nga fëmijët”, kishte thënë Ahmeti. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark