×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Qytetarët dhe deputetët janë në terr informativ për dialogun dhe planin franko-gjerman”

    Insajderi
    13 February 2023 - 09:01

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë në dialog dhe rreth planit franko-gjerman.

    Sipas LDK-së dhe AAK-së, shefi i ekzekutivit po i mban qytetarët dhe opozitën në terr informativ.

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Kurti nuk ka transparencë në dialog.

    “Kryeministri Albin Kurti e ka për obligim që t’i mbajë të informuar deputetët e Kuvendit lidhur me procesin e dialogut, sepse ka qenë po ky kryeministër sa ka qenë në opozitë, dhe e kemi përkrahur me disa rezoluta, që të vijë dhe të raportojë para dhe pas çdo takimi me palën serbe, mirëpo deri më tani nuk kemi pas asnjë debat. Edhe ne si opozitë duhet me ftu së shpejti pas këtyre takimeve që i ka me Lajçakun, mirëpo deri më tani mund të them se zero transparencë sa i përket çështjes së dialogut dhe planit franko-gjerman”, ka thënë ajo.

    “Nuk mund të them se është apo jo i pranueshëm, sepse deri më tani nuk e kam parë. Kryeministri duhet të vijë në Kuvend dhe të tregojë lidhur me atë plan, mirëpo vetëm e kam dëgjuar se plani nuk ka njohje reciproke, ne si LDK e kemi përkrahur një dialog që të ketë njohje reciproke gjithmonë duke e ruajtur kushtetushmërinë, integritetin dhe sovranitetin territorial, mirëpo kryeministri Kurti duhet të vijë dhe të raportojë, t’u tregojë qytetarëve pse tash nuk ka një njohje bazë, e deri më sot e kemi pas këtë njohjen bazë dhe kemi punuar gjithmonë për një njohje përfundimtare, e jo më të zgjasë ky proces”.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se qytetarët janë në terr informativ sa i përket dialogut. Ai thotë se njëjtë janë edhe partitë opozitare.

    Ndërsa sa i përket planit franko-gjerman, Lekaj thotë se kryeministri ka ndryshuar qëndrim.

    “Sa i përket qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës më tani jemi mësuar me ndryshimin e qëndrimit me veprimet e tij dhe nuk është i qëndrueshëm në atë që e thotë. Këtë e ka dëshmuar edhe me pranimin e planit franko-gjerman. Qe një vit e ka quajtur jo të pranueshëm dhe është deklaruar që nuk do ta pranojmë asnjë marrëveshje pa pasur njohje në qendër dhe brenda 24 orëve e ndryshon mendimin dhe thotë e pranojmë planin franko-gjerman që krijon huti tek qytetarët por edhe tek ne deputetët dhe partitë opozitare në përgjithësi”.

    “Nuk kemi informacione, jemi në terr informativ. Kryeministri del e thotë  ne pranojmë një marrëveshje franko-gjermane që ka jo njohjen por ka asociacionin për implementim dhe kjo të jep me kuptu që ky kryeministër është jo i qëndrueshëm dhe na ka qitë në një terr informativ. Si kryeministër i vendit duhet t’ua shpjegojë edhe qytetarëve, ta informojë edhe parlamentin e Kosovës”, u shpreh Lekaj.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark