16:06 - 22 Janar 2023

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mund të diskutojë edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë në seancën e rregullt dimërore që mbahet nga 23 deri më 27 janar 2023.

“Tensionet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, është tema që mund të futet për diskutim në seancën e ardhshme.

“Ka pasur edhe kërkesë për një debat për aktualitetin me temën: “Tensionet e fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.”- thuhet në agjendën e asamblesë.

Çështja e diskutimeve për Kosovë dhe Serbinë mund të futet në agjendë pasi të votohet nga Kuvendi në hapjen e punimeve.

Ndërkaq, siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të internetit, temë kryesore e kësaj seancë do të jenë aspektet ligjore dhe të drejta e njeriut në Luftën në Ukrainë, ku do të marrë pjesë Oleksandra Matviychuk kryetare e Qendrës së Ukrainës për Liritë Civile dhe fitueses së Çmimit Nobel për Paqen.

Po ashtu do të diskutohet edhe për luftën kundër dhunës ndaj grave “me një debat të parë mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin dhe një debat të dytë të përbashkët mbi Konventën e Stambollit, mbi rolin dhe përgjegjësinë e burrave dhe djemve në ndalimin e dhunës me bazë gjinore kundër grave dhe vajzave, dhe në gjetjen e zgjidhjeve për robërinë martesore.”

“Tema të tjera në agjendë përfshijnë ndikimin mjedisor të konfliktit të armatosur, luftëtarët e huaj të dhe familjet e tyre që kthehen nga Siria dhe gjetkë, dhe sfidat etike, kulturore dhe arsimore të aplikacioneve për gjurmimin e kontakteve”, thuhet në njoftim

Tags: ,