
Një raport, i konsideruar me spekulime dhe pasaktësi për raportin mes shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore ishte publikuar javë më parë në faqen e Qeverisë së Izraelit. Por, një interesim i Gazetës Insajderi për të kuptuar më shumë për këtë raport ka bërë që i njëjti të hiqet nga publikimi.
Visar Duriqi
“ …shqiptarë myslimanë që bashkëpunuan me nazistët, dhe me këtë akt çuan në shfarosjen e hebrenjve në kampin në Belsen”. “Historikisht, Kosova është zemra e Serbisë. Megjithatë, shumica e banorëve të saj sot janë shqiptarë”. “Shqiptarët vendas na trajtuan shumë keq. Ata na thanë në rrugë ‘Ju hebrenjtë po i vrisni arabët’”.
Këto janë vetëm disa fjali që janë vendosur në punimin e titulluar “Hebrenjtë e Kosovës: Integrimi, lulëzimi dhe zhdukja e tyre gjatë Holokaustit, studimit si pjesë e një teksti alternativ në temën e Holokaustit për shkollat e klasave të larta në Izrael dhe Kosovë”. Autor i këtij dokumenti është Dr. Efrat Tahar Kedem.
Ky punim madje ishte publikuar edhe në faqen e Ministrisë së Arsimit të Izraelit.
Një kopje të tij ende e ka Gazeta Insajderi, por pas pyetjeve të dërguara në Qeverinë izraelite dhe në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ky dokument ishte fshirë.
Në këtë dokument, si staf kërkimor në terren del që të ketë qenë Milosh Deminovich nga Mitrovica e Veriut.
Pas disa javësh pritjeje, Insajderi ende nuk ka marrë përgjigje se si u angazhua Deminovich në këtë studim, dhe as pse në dokumentin, që ishte fshirë nga faqja e Ministrisë së Izraelit, derisa dokumenti ishte me këtë përmbajtje, autorja kishte falënderuar edhe Ambasadoren e Kosovës në Izrael, Ines Demirin.
Hesht MPJ e Kosovës e Ambasada në Izrael
Insajderi ende nuk ka marrë përgjigje as nëse Ambasadorja Demiri, apo Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e kishin miratuar dokumentin në fjalë, me përmbajtjen, së paku kontroverse, e që pritje të përktheje në gjuhën shqipe dhe të shpërndahej nëpër shkolla si material alterantiv për nxënësit.
Madje, sipas edhe vet titullit të studimit, po me këtë përmbajtje, mund të ishte shpërndarë edhe në shkollat e Izraelit, ku nxënësit kosovarë e ata izraelit, mund të mësonin që “ …shqiptarë myslimanë që bashkëpunuan me nazistët, dhe në këtë akt çuan në shfarosjen e hebrenjve në kampin në Belsen”.
As pas shumë javësh pritjeje, Insajderi nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Punëve të jashtme e Kosovës, që drejtohet nga Donika Gërvalla, dhe as përgjigje direkte nga Ambasada e Kosovës në Izrael. Por, për Insajderin përgjigje ka dërguar Ministria e Arsimit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci.
“MASHTI ka komunikuar me Ambasadën e Kosovës në Izrael dhe po ashtu, me Ambasadën e Izraelit në Kosovë për t’u informuar në lidhje me këtë çështje. Deri më tani ne nuk kemi pranuar asnjë raport apo dokument të tillë”, thuhet në përgjigjet e MASHT dërguar Insajderit, derisa dokumenti ishte ende publik në faqen e Ministrisë Izraelite të Arsimit.
Edhe pse dokumenti veçse ishte nxjerr në publik, dhe mund të shkarkohej lirshëm nga kushdo, në gjuhën hebraike, MASHT i tha Insajderit se ende janë në pritje të finalizimit të tij.
“Nga komunikimi me Ambasadën e Kosovës në Izrael, jemi njoftuar se është duke u realizuar një hulumtim përkitazi me historinë e hebrenjve në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore por i cili nuk është finalizuar dhe se janë në pritje të pranimit të njësisë studimore”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.
Gzeta Insajderi e kishte kontaktuar edhe Qeverinë Izraelite, derisa dokumenti ishte ende publik. Ia kishte përmendur citatet kontroverse, dhe dërguar linkun se ku mund ta gjenin në faqen e dikasterit të tyre qeveritar.
Ron Paz, shef në Zyrën për Media në Qeverinë Izraelite i ka thënë Insajderit, që pasi që e ka parë dokumentin, edhe pse nuk mund të komentoj direkt në përmbajtje, nuk i dukej bash dokument qeveritar, ani pse ishte publikuar në faqen e Ministrisë së Arsimit.
“…unë i hodha një sy studimit të cilit ju i referoheni. Me siguri duket si një hulumtim privat që NUK ka të bëjë me Qeverinë, apo zyrtar, në asnjë mënyrë”, i ka thënë Ron Paz Insajderit.
Duke mos dashur ta komentoi përmbajtjen e këtij raporti, Ron Paz tha se “Izraeli vlerëson marrëdhëniet e tij të ngrohta me Kosovën dhe shpreson të vazhdojë të zhvillojë raportet dypalëshe”.
Ambasada e Izraelit: Botimi ishte gabim
Se si u bë që ky studim, me konstatime kontroverse, dhe sipas historisë që njihet publikisht për raportet shqiptaro-izraelite, edhe me pasaktësi historike, të bëhet publik?
MASHT-i duke folur për Ambasadën e Izraelit në Kosovë thotë se publikimi i dokumentit në fjalë, ishte veç një gabim.
“Nga Ambasada e Izraelit në Kosovë, jemi njoftuar se procesi i punës në këto njësi studimore aktualisht është në versionin hebraik dhe pas përkthimit do ti dërgohet një historiani në Kosovë, për komente të cilat do të përfshihen dhe të përditësohen në dokument në përputhje me rrethanat faktike të asaj periudhe historike. Po ashtu, nga kjo Ambasadë na është konfirmuar se njësia e studimit (e pa finalizuar) është ngarkuar gabimisht në faqen e Ministrisë së Arsimit të Izraelit dhe do të tërhiqet”, thuhet në përgjigjet e MASHT, derisa disa orë pas dërgimit të ksaj përgjigje, dokumenti ishte fshirë.
Derisa plani fillestar i këtij studimi ishte që të shpërndahej si material alternativ për nxënësit kosovarë e ata izraelit në shkolla, pas interesimit të Insajderit me pyetje, MASHT thotë që nuk mund të ndodh shpërndarja pa miratimin e tyre.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk mund të botojë, shpërndajë apo financojë dokumente të cilat nuk i ka në posedim. Asnjë dokument apo raport nuk mund të shpërndahet në shkolla pa një aprovim paraprak të MASHTI”, thuhet në përgjigjen e MASHT për Insajderin.
Raporti “Hebrenjtë e Kosovës: Integrimi, lulëzimi dhe zhdukja e tyre gjatë Holokaustit…”, me autor Dr. Efrat Tahar Kedem dhe që ka si staf kërkimor në terren Milosh Deminovich nga Mitrovica e Veriut, është një dokument prej më shumë se 100 faqesh.
Në këtë dokument gjendet edhe konstatimi për raportin mes Serbisë e Kosovës, ku edhe pse Izraeli e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, qartazi nga ky studim Kosova shihet si tokë serbe.
“Historikisht, Kosova është zemra e Serbisë. Megjithatë, shumica e banorëve të saj sot janë shqiptarë. Për shumë vite ajo Kosova është burim i konflikteve etnike, pasi shumica e banorëve të saj janë shqiptarë myslimanë dhe pakica e tyre janë serbë, të krishterë ortodoksë. Serbët për vite me radhë luftuan kundër konkurrentëve dhe pushtuesve të huaj, derisa arritën të marrin nën kontroll të gjithë territorin e Kosovës në vitin 1208. Që atëherë, Kosova është bërë qendra politike dhe fetare e serbëve. Në shekullin e 14-të – u ngrit në territorin e Serbisë (që përfshin Kosovën)”, thuhet në raport.
Tutje aty është përmendur edhe një intervistë e realizuar me Diamanta Bracha, e lindur në Prishtinë. 1929, intervista në shtëpinë e saj në Beograd më 19 mars 2022.
“Shqiptarët vendas na trajtuan shumë keq. Ata na thanë në rrugë ‘Ju hebrenjtë po i vrisni arabët” I hodhën cigare në kokë vajzës sime dhe shoqes së saj. Flokët e shoqes orën flakë. Ata hynë në banesën tonë. Megjithatë, kishte edhe një familje shqiptare vendase që na donte shumë. Me serbët kemi jetuar si familje”, citohet intervista.
Një pjesë e raportit i kushtohet edhe njësisë së përkohshme ushtarake “Skënderbeg”, që kishin pranuar që të identifikoheshin si trupa SS të Gjermanisë Naziste.
“Më 14 maj 1944, hebrenjtë e Prishtinës u arrestuan nga njësia SS Waffen dhe njësia “Skënderberg” e myslimanëve fashistë shqiptarë nga Kosova. Këta hebrenj u dërguan nga pushtuesit gjermanë në kampin Belsen. Gjysma e tyre (177 hebrenj) nga Kosova vdiq nga kushtet e mjerueshme, deri në çlirim në maj 1945. Shumica e të mbijetuarve emigruan në Izrael më 1948”, thuhet në raport.
Sipas këtij raporti, njësia SS me emrin “Skënderbeg” “përbëhej nga vullnetarë nga Shqipëria, vullnetarë të cilët e morën frymëzimin e tyre nga Myftiu i Jeruzalemit, Haj Amin Al Husseini”.
“Dhe ata, shqiptarët, i dhanë divizionit të tyre emrin e heroit shqiptar Skënderbeu, i cili jetoi në mesjetë. Mbledhja e hebrenjve ishte veprimtari parësore e njësisë së tyre SS dhe ata e bënë këtë veprim duke marrë listat nga vullnetarët”, thuhet në raport dhe përshkruhen dëshmi të dëshmitarëve të mbijetuar sipas të cilëve kjo njësi grumbulloi në rrethinën e Prizrenit qindra hebrenjtë, i futi ë kamionë, pa ujë e ushqim. “Ne ishim “dërgesa e fundit e hebrenjve” që u larguam nga Jugosllavia për në kampet e vdekjes”, thuhet tutje në raport./ Gazeta Insajderi