22:06 - 25 Maj 2022

Festime që vazhduan deri në orët e hershme të mëngjesit. Staf i dehur dhe përleshje me njëri-tjetrin. Muret e Kryeministrisë të lyera me verë të kuqe. Dhe një festë e paligjshme ditëlindjeje për kryeministrin e Britanisë, e kompletuar me gjashtë pako birrë dhe dhjetëra sandviçë.

Kjo ishte skena e qeverisë së Boris Johnsonit gjatë izolimit për shkak të COVID-19, derisa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar e kishte të ndaluar të takonte miqtë dhe familjarët, shkroi të mërkurën CNN-i, sipas një hetimi për festat gjatë pandemisë.

Johnson është përballë një beteje për ta shpëtuar pozitën e tij, pasi raporti i publikuar të mërkurën nga nëpunësja e lartë civile, Sue Gray, dha kritika të ashpra për ngjarjet që thyen rregullat dhe zbuloi fotografi të reja të tij në dy tubime të tjera.

Gray tha se nuk kishte arsyetim për sjellje të tilla të cilat ajo i hetoi, që përfshinë edhe “konsumin e tepërt të alkoolit”. U zbuluan edhe mesazhe mes zyrtarëve të cilët haptazi diskutonin t’i fshihnin festat e tyre nga mediat.

Image

Raporti përfshiu 16 ngjarje që ndodhën, derisa Britania ishte nën masat anti-COVID.

Një fotografi e Johnsonit me shishen e birrës në dorë në një festë ditëlindjeje u përfshi në dosjen e hetimeve, bashkë me të tjera.

Duke folur në Parlament disa minuta pasi raporti u publikua, ai tha se e kishte marrë mësimin dhe se merr përgjegjësi të plotë për gjithçka që ka ndodhur gjatë prezencës së tij.

Por, përsëriti se festimet eskaluan vetëm kur ai ishte larguar dhe insistoi se ishte “i befasuar dhe i zhgënjyer”.

Zbulimet e raportit ngrenë pyetje serioze nëse Johnsoni mashtroi deputetët dhe për këtë ai përballet me një komision hetimor parlamentar të veçantë.

Gray gjeti se Johnsoni mori pjesë në një festim në maj të vitit 2020, ku ishin rreth 30-40 persona. Stafit të ftuar iu tha se duhet të pinin në distancë.

“A mund të sugjeroni që të sillni alkoolin tuaj me vete! Nuk jemi të sigurt se kemi mjaftueshëm”, thuhet në një email nga Martin Reynolds, sekretar.

Të nesërmen, Reynolds pa se mediat nuk kishin raportuar dhe i shkroi një kolegu: “Duket se ia hodhëm”.

Në një shkëmbim mesazhesh, stafit iu tha që të anashkalonin “daljen rreth e rrotull me shishe të verës” ndërsa reporterët ishin në ndërtesë.

Disa prej tyre nuk u ndjenë rehat me sjelljen që ndodhi brenda Kryeministrisë, por patën frikë të flisnin, zbuloi Gray. Në raste të tjera, një pjesë e stafit u trajtuan keq nga ata që ishin të përfshirë në festa.

“Isha në dijeni të disa rasteve të mungesës së respektit dhe trajtimit të keq ndaj stafit të sigurimit dhe pastrimit. Kjo ishte e papranueshme”, shkroi Gray.

Por përveç anës politike, elementi më tronditës i raportit të Grayt është kontrasti i fortë midis ngjarjeve brenda Kryeministrisë dhe në të gjithë vendin në tërësi.

Britania kaloi tri izolime strikte dhe masa të ndryshme gjatë pandemisë, e cila mori më shumë jetë në Britani se në cilindo vend tjetër të Evropës.

Gjatë këtyre periudhave, rregullat ndalonin pjesëmarrjen dhe kontaktin fizik në funerale, dhe mbanin njerëzit larg nga të afërmit që po vdisnin në spitale.

Familjet e viktimave nga koronavirusi u shprehën të mllefosur dhe kërkuan dorëheqjen e Johnsonit.

“Mesazhet në raport tregojnë se ata e dinin se sa mosrespekt po tregonin për familjet që po i linin në baltë, por kjo nuk i shqetësoi ata”, thanë familjet.