×
  • Lajme
  • Lajme

    Raportimi i Insajderit, pushteti i AAK-së në Gjakovë gjobitet me 20 mijë euro për publikim të diagnozave të pacientëve

    Insajderi
    14 June 2024 - 17:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    20 mijë euro është gjoba që i është shqiptuar Komunës së Gjakovës, pas raportimit të Gazetës Insajderi për publikim të të dhënave personale.

    Ky vendim është marrë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), pasi që në ueb faqen e Komunës së Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, u publikuan diagnozat e pacientëve.

    Në njoftimin e lëshuar nga Agjencia përmendet se ata u informuan nga Gazeta Insajderi për këtë shkelje ligjore nga ana e Komunës së Gjakovës, duke paralajmëruar se do të nisin aksion për kontrollim të ueb faqeve zyrtare të institucioneve vendore, për të parë shkelje të tilla ligjore, ku shpalosen në public të dhënat personale.

    “Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Gjakovës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve personale (të dhëna të ndjeshme), të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emrin, mbiemrin, vitin e lindjes, numrin personal, diagnozën e sëmundjes, numrin e llogarisë bankare, numrin e telefonit të personave fizik që kanë përfituar subvencione shëndetësore për vitin 2024, si dhe shumën e përfituar. Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me dsipozitat e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e lëshuar nga AIP, raporton Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi raportoi para katër ditësh për këtë skandal të Komunës së Gjakovës.

    200 pacientë u shpallën përfitues të subvencioneve për personat me sëmundje të rënda, rastet emergjente shëndetësore, sëmundjet e ndryshme kardiovaskulare dhe kancerogjene.

    Përmes vendimit të publikuar në faqen e komunës janë bërë publik edhe të dhënat personale të tyre.

    Aty janë të përfshirë numrat personal, diagnoza, numrat e telefonit dhe llogarinë bankare.

    Publikimi i të dhënave persona është i ndaluar përmes Ligjit NR.06/L-282 Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

    Të dhënat e pacientëve janë publikuar që nga muaji prill i këtij viti dhe ende vazhdojnë të jenë online.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark