×
  • Lajme
  • Insajderi

    Rasti “Brezovica 1”: Për leje ndërtimore, investitori ua dha 60 mijë euro Braçes dhe drejtorit të Kadastrit

    Insajderi
    11 December 2022 - 18:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Investitori i ndërtimit të objektit hotelier “Rochk” në Parkun Kombëtar “Sharri”, zona e Brezovicës, Hysein Ajdini, akuzohet se ua kishte dhënë 60 mijë euro ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe drejtorit të Kadastrit të kësaj komune, Sasha Millosavljeviq, për sigurimin e lejeve ndërtimore.

    Sipas aktit akuzues të rastit “Brezovica 1”, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bashkë me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq po akuzohen edhe 11 persona të tjerë, ndër ta edhe Hysein Ajdini, Sasha Spashiq, Jadran Kostiq dhe Raif Bajrami.

    Të njëjtit, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt po akuzohen për katër vepra penale, për dhënie ryshfeti, ushtrim të ndikimit, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Sa i përket veprës penale të dhënies së ryshfetit, prokuroria e akuzon Hysein Ajdinin se si person fizik, investitor i ndërtimit të objektit hotelier “Rochk” në Parkun Kombëtar “Sharri”, zona e Brezovicës, në pamundësi që të sigurojë lejen ndërtimore në procedurë ligjore, ka bërë marrëveshje me personin përgjegjës të NN “Quka Co” për ndërtimin e objekteve dhe sigurimin e lejes ndërtimore në Drejtorinë e Urbanizmit, duke ia dhënë drejtorit të Kadastrit, Sasha Millosavleviq, 30 mijë euro.

    Mirëpo, aktakuza thotë se i njëjti nuk arrin të sigurojë lejen e ndërtimit, e pastaj detyrohet t’i paguajë edhe 30 mijë euro për kryetarin e komunës, tani të pandehurin Bratislav Nikoliq, për t’ia mundësuar marrjen e lejes ndërtimore.

    Sipas aktit akuzues, të gjitha këto leje ndërtimore ishin dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Këto ndërtime, kanë bërë degradimin e papërmirësueshëm të mjedisit dhe rrezikimin e pasurive të mbrojtura natyrore në Parkun Kombëtar “Sharri”, zona e Brezovicës.

    Hysein Ajdini po akuzohet edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, pasi sipas aktakuzës, i njëjti në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

    Sipas aktakuzës, Ajdini pasi nuk ka mund ta marrë lejen e ndërtimit pa pëlqimin e të pandehurit Sasha Millosavleviq dhe kryetarit të komunës, Bratislav Nikoliq, është detyruar t’i paguajë 30 mijë euro për të pandehurin Sasha Milosavjeviq dhe 30 mijë euro për të pandehurin Bratislav Nikoliq, përmes personit përgjegjës të NN “Quka Co“, për të ushtruar ndikim në drejtorin e Urbanizmit Dimitrije Racicevic.

    Tutje, në dispozitivin e nëntë të aktakuzës thuhet se Sasha Spasiq akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit në ndihmë”, pasi në vitin 2016, ka ndihmuar të pandehurin Bratislav Nikoliq në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me qëllim që të veproj Sasha Spasiq në kundërshtim me detyrat zyrtare.

    Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që i njëjti ka bërë marrëveshje me pronarin e NN “Quka Co” dhe të pandehurin Bratislav Nikoliq, për ndërtimin e dy vikend-shtëpive në pronën e të akuzuarit Spasiq, e të cilat vikend-shtëpi i ka ndërtuar NN “Quka CO“, me material të ndërmarrjes, në vlerë rreth 300 mijë euro, kurse si shpërblim ka marr Sasha Spasiq 30 leje ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit, me ndihmën e të pandehurit Nikoliq, si dhe 80 mijë euro nga Liridon Domaneku, për ndërtimin e tre objekteve me nga katër apartamente.

    Sipas aktakuzës, për këto leje ndërtimore personi përgjegjës i NN “Quka Co“, i ka marrë nga 10 mijë euro nga pronarët e vikend-shtëpive.

    Po ashtu, për veprën penale “Marrje e ryshfetit në ndihmë”, po akuzohet edhe Jadran Kostiq, sepse në vitin 2016 ka ndihmuar të pandehurin Bratislav Nikoliq në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat zyrtare.

    Sipas aktit akuzues, i akuzuari Kostiq pas marrëveshjes me pronarin e NN “Quka Co” dhe të pandehurin Nikoliq për ndërtimin e një vikend-shtëpie në pronën e tij (Jadran Kostiq), të cilën vikend-shtëpi e ka ndërtuar NN “Quka CO“, me material të ndërmarrjes në vlerë rreth 150 mijë euro, si shpërblim ka marrë 15 leje ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit, me ndihmën e të pandehurit Bratislav Nikoliq.

    Për këto leje ndërtimore, sipas aktakuzës, personi përgjegjës i NN “Quka Co”, i ka marrë nga 10 mijë euro nga pronarët e vikend-shtëpive.

    Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Marrje ryshfeti” po akuzohet edhe shefi i Inspekcionit në Komunën e Shtërpcës, Raif Bajrami.

    Sipas aktakuzës, Bajrami po akuzohet se nga fillimi i vitit 2013 e deri më 21 dhjetor 2021, si person zyrtar-shef i personelit në Drejtorinë e Urbanizmit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

    Aktakuza thotë se i akuzuari Bajrami, me rastin e aplikimit për leje ndërtimore në Drejtorinë e Urbanizmit, nga personi përgjegjës i NN “Quka-Co”, për ta shpejtuar dorëzimin e dosjes për leje ndërtimore te drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit Dimitrije Racicevic, ka marrë para në shuma prej 200 deri në 500 euro, kurse nga eksperti i mjedisit Basri Beqiri, për vlerësimin e ndikimit në mjedis për vikend-shtëpi, i cili vlerësim ishte njëri nga kushtet për leje mjedisore komunale, i pandehuri ka marrë 500 euro, për 10 leje mjedisore.

    Ndryshe, përveç të akuzuarit Hysein Ajdini i cili mbrohet në liri, të akuzuarit Sasha Spasiq, Jadran Kostiq dhe Raif Bajrami janë në vuajte të masës së paraburgimit që nga 21 dhjetori 2021.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark