×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rasti i “përplasjes” së fëmijës, familja dyshon se ministrja Hajdari po ndikon në zvarritjen e rastit

    Insajderi
    06 September 2023 - 20:40

    Që nga 8 dhjetori kur Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të realizojë një super-ekspertizë në rastin kur ministrja Rozeta Hajdari dyshohet se goditi me veturë një fëmijë, nuk është mbajtur asnjë seancë lidhur me këtë rast.

    Nëse ky rast vazhdon të zvarritet, kjo lëndë rrezikon të parashkruhet, çka nënkupton se ministrja nuk do të dënohej fare për këtë rast.

    Për të evituar një situatë të tillë, avokati i 9-vjeçares, Florim Shefqeti, ia ka dërguar Gjykatës tri urgjenca, me të cilat i ka kërkuar trajtim të rastit.

    Zvarritja e rastit ka ngritur dyshimet e familjes së 9-vjeçares se po bëhet pikërisht për faktin se e dyshuara për këtë rast mban postin e ministres.

    Ky dyshim i tyre kishte lindur qysh me klasifikimin e veprës penale si kundërvajtje.

    Dyshimet e familjes kishte rritur edhe fakti se prokuroria nuk kishte marrë as video-incizimet e kamerave afër rrugës ku ndodhi aksidenti. Këto pamje iu dorëzuan organeve të sigurisë dhe drejtësisë nga avokati i familjes së 9-vjeçares, raporton Klan Kosova.

    Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohojnë se nëse gjykata nuk ndërrmerr asnjë veprim, ky rast do të parashkruhet në muajin prill të vitit 2024.

    Sipas Gzim Shalës nga IKD, praktikat kur rastet e kundërvajtjeve, ashtu siç është klasifikuar edhe ky rast i aksidentit, parashkruhen janë të shpeshta. Një hulumtim i këtij instiuti, nxori në pah se brenda vitit humbin miliona euro për shkak të kësaj praktike.

    Megjithëse nuk ka fakte se në rastin konkret, ministrja Hajdari ka shtrirë ndikimin e saj për prolongim të rastin, Shala thekson se ka vërejtur një tej-zvarritje të rasteve kur të dyshuar kanë qenë politikanët, çka thotë se krijon një imazh të një sistemi gjyqësor me standarde të dyfishta.

    Dyshimin se lënda po zvarritet, sipas palës ankuese e përforcon edhe fakti se gjyqtares e cila ishte duke e trajtuar lëndën, iu ndërrua pozicioni, duke e lënë këtë lëndë pa gjyqtar.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    25 February 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark