Trajneri De Biazi ka biseduar me kapitenin Lorik Cana paraprakisht, duke e marrë bashkë vendimin për ta nisur ndeshjen ndaj Rumanisë nga stoli.
Forma e mirë që po kalon Arlind Ajeti ka bërë që në qendër të prapavijës kuqezi, përkrah Mavrajt, të mos luajë kapiteni, rekordmeni me ndeshjet e luajtura te Shqipëria. Në fakt, shumë u befasuan me zgjedhjen dhe guximin e De Biazit, kur nuk figuroi në formacionin startues Lorik Cana.
Ky i fundit ishte i pezulluar dhe nuk luajti ndaj Francës, ndërsa ndaj helvetëve u ndëshkua me karton të kuq.
“Ishte një zgjedhje e vështirë për mua. I thashë Canës se nuk dua ta ndryshoj shumë skuadrën nga ndeshja me Francën. E pyeta Lorikun për sakrificën që duhej të bënte, duke qëndruar në stol, dhe ai ishte shumë bujar në këtë drejtim. Cana është lider, njeri i skuadrës. Më duhet t’i bëj komplimente për qëndrimin dhe sjelljen e tij”, – sqaroi De Biazi për mediat, pas ndeshjes, shkruan telesport.
Nga ana e vet, kapiteni u tregua profesionist, teksa u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë, në vend të Bashës, duke i dhënjë një dorë kombëtares për mbrojtjen e epërsisë 1-0. “Ka disa muaj që kombëtarja ka në çdo rol dublime dhe lojtarë të nivelit të lartë. Është vetëm për t’u përgëzuar ky fakt. Kur luan në nivele të tilla, të gjithë duan të japin kontributin e tyre. Edhe unë kam detyra, si të jem në fushë, por edhe jashtë saj, për t’i motivuar djemtë. Gjëja më e vështirë është kur njeriu e di që vjen në Europian për të dhënë një kontribut për skuadrën, pasi kjo fanellë ka peshë. Shpresojmë të kemi fatin me vete e të kualifikohemi më tej”, ka thënë ai.