Javën e kaluar, Gazeta Insajderi raportoi se zona malore në periferi të Prishtinës, konkretisht në fshatrat Bërnicë e Epërme dhe Trudë, është duke u dëmtuar rëndë nga prerja ilegale e drurëve, aktivitet ky i cili po bëhet për përfitime financiare në prag të stinës së dimrit.
Pyjet në zonat malore të Bërnicës së Epërme, fshat ky i vendosur në periferi të Prishtinës, vetëm 7 kilometra nga qendra e qytetit, janë duke u dëmtuar rëndë nga prerësit ilegal të drunjëv, të cilët po shfrytëzojnë neglizhencën e organeve të rendit për përfitime financiare, shkruan Gazeta Insajderi.
Pas raportimit të Gazetës Insajderit, inspektorët sipas autorizimeve nga Drejtori i Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti kanë realizuar një kontroll të jashtëzakonshme me datë 10.11.2021, ku kanë hartuar një procesverbal me konstatimet se: Ekzistojnë prerje në të dy anët e rrugës tek fshati “ Bernicë e Epërme”
Sipas procesverbalit të Inspekecionit, në këtë zonë prerjet janë selektive, ka edhe në pyje publike edhe në pyje private, jo të përmasave të mëdha.
Poashtu, nga konstatimet e Inspektorëve është verifikuar mos prezenca e çekanit të regjistrimit të dëmit nga rojtari i pyllit z. Ligjeron Brahimi i ngarkuar me atë teren ekonomiko-pyjor.
Sipas deklarimeve të rojtarit të pyjeve të konstatuara në procesverbalin, ai ka 7 fletëparaqitje për çka është obliguar që t’i sjellë në Inspektorat për verifikim.
Rojtari i pyjeve ka deklaruar se kanë pasur disa raste ku në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë realizuar kontrolla të përbashkëta për mbrojtjen e pyjeve në këtë rajon
Në përgjegjien e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, thuhej gjithashtu se tani është koha kur duhet të bëhen regjistrimet e rregullta të terreneve pyjore dhe do të hartohen raporte lidhur me konstatimet e dëmeve dhe varësisht nga këto konstatime do ndërmerren edhe masat nëse vërehet se dallimi i vëllimit të masës drunore i pa mbuluar me fletëparaqitje nga rojtari i pyllit është më i madh se 10m3.
Nëse ky dallim sipas raporteve është më i madh, atëherë Inspektorati do inicojë procedurë gjyqësore penale ose kundërvajtëse ndaj rojtarit të pyjeve, kurse komuna është e obliguar të inicojë procedura disiplinore ndaj rojtarit të pyjeve, përgjegjës për këtë teren pyjor. /Insajderi.org/