×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Reagon “Prishtina Parking” pas denoncimeve për kontratën 750 mijë euro

    Insajderi
    19 August 2022 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. ka reaguar pas denoncimeve lidhur me kontratën me vlerë 750 mijë euro.

    Lidhur me akuzat e opozitës se janë shpenzuar 750 mijë euro nga kjo ndërmarrje, për një aplikacion, “Parking Prishtina”, sqaron se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë së kontraktuar 15 % të të hyrave për çdo shërbim.

    “Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. sqaron opinionin publik rreth disa shkrimeve dhe reagimeve të aktivistëve politikë lidhur me vazhdimin e kontratës “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, ku vlera indikative për 36 muajt e ardhshëm është 750,000.00€ (shtatëqind e pesëdhjetë mijë euro). Ndërmarrja sqaron se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës së nënshkruar, Ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar nga Ndërmarrja”, thuhet në reagim.

    Nga kjo ndërmarrje kanë thënë se nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100 euro, nga kjo shumë 15 % e të hyrave (15€) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet.

    “Ta zëmë, nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100€ (njëqind euro), nga kjo shumë 15 % e të hyrave (15€) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet”.

    Më tej në sqarimin e ndërmarrjes thuhet se Operatori Ekonomik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server room, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës.

    “Gjithashtu në bazë të kontratës së nënshkruar, Operatori Ekonomik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server room, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës, vendosjen e tabelave vertikale, mirëmbajtjen e sistemit, si dhe trajnimin e stafit për përdorimin e sistemit”, thuhet në komunikatën e Prishtina Parking.

    Kujtojmë se shefi i asambleistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveqla ka kërkuar hetim lidhur me këtë kontratë.

    Sveqla thotë se sipas çmimeve të tregut del se aplikacioni për të cilën thuhej se do të shpenzohen 750 mijë euro, e ka vlerën shumëfish më të ulët.

    “Po vazhdon shpërdorimi dhe keqmenaxhimi i pasurisë publike në Prishtinë. 750.000€ janë shpenzuar nga Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” për një aplikacion që sipas çmimeve të tregut thuhet se e ka vlerën shumëfish më të ulët”, ka shkruar Sveqla në facebook.

    Asamblisti i VV-së ka kërkuar që të bëhet hetim ndaj kësaj kontrate të dyshimtë.

    “I bëjmë thirrje personave përgjegjës të Komunës së Prishtinës të ftojnë organet kompetente, Krimet Ekonomike, për ta hetuar këtë kontratë të dyshimtë”, shtoi Sveqla.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark