×
  • Lajme
  • Insajderi

    Reciprociteti për targa me Serbinë: Njohësi i Sigurisë thotë se qeveria duhet t’iu bëjë ballë trusnive

    Insajderi
    20 September 2021 - 17:14

    Vendosja e masës së reciprocitetet me Serbinë për targat e automjeteve nuk pritet ta destabilizojë situatën në veri të Kosovës. Kështu të paktën po vlerësojnë njohësit e sigurisë, të cilët këtë masë po e konsiderojnë si veprim të duhur, por edhe pak të ngutshëm. Ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës të jetë konsistente dhe mos ta tërheqë këtë masë përkundër çdo lloj trusnie që do i vijë, qoftë edhe nga Bashkimi Evropian apo dikush tjetër.

    Në bazë të vendimit, nga sot obligohet që të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë, të pajisen me targa të përkohshme. Sipas këtij vendimi, pajisja me këto targa bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

    Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa prej 5 eurove. Vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

    Njohësi i Sigurisë, Nuredin Ibishi derisa e konsideron si vendim të duhur vendosjen e masës së reciprocitetet me targat e automjeteve me shtetin serb, thotë se nuk ka kurrfarë arsye që të destabilizohet situata në pjesën veriore.

    Sipas tij, pas këtij veprimit, UNMIK-u do të bëjë presion që të vazhdohet regjistrimi i automjeteve me tabelat KS.

    “Nuk ka kurrfarë shkaku apo arsye të destabilizohet situata, organet e rendit kryejnë detyrat e veta, kanë të drejtë që kushdo qoftë të protestoj në këtë rast edhe serbët por realisht puna po kryhet ashtu siç duhet dhe ta duhet t’i pëlqejnë apo respektojnë ato masa çfarë janë bërë. Nuk ka ndalesa në kufi kurrfare, atyre iu jepet mundësia që menjëherë të zëvendësojnë tabelat dhe të vazhdojnë rrugëtimin e tyre…..Vendim shumë të duhur dhe mendoj se duhet vetëm të jetë konsistent, vendimi mos të bie në trusni, qoftë nga BE apo edhe dikush tjetër, sidomos UNMIK-u që do kërkoj vazhdimin e regjistrimit të tabelave KS, por përfundimisht të merret një qëndrim dhe ai të jetë një masë e reciprocitetit, sepse tash me siguri priten edhe masa të tjera çfarë ka premtuar kjo parti në fazën e fushatës”, theksoi Ibishi.

    Ibishi po ashtu thotë se nuk është e drejtë nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i bëjë presion që të mos shkaktojë tensionet, pasi këto tensione po shkaktohen nga pjesëtarët serbë që janë të lidhur me Qeverinë e Serbisë.

    Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi vlerëson se Kosova ka kapacitet për të mbikëqyrë këtë masë.

    “Është jo ferr edhe nga Bashkimi Evropian dhe të tjerët që të ulen tensionet, tensionet duhet të ulen nga reagimet e komuniteti serb në Kosovë me përfaqësuesit e Beogradit, Lista Srpska dhe establishment tjetër por edhe reagimet e Serbisë që pa asnjë nevojë reagojnë duke thirr Këshillin e Sigurisë dhe mundësinë çfarë ata shpesh bëjnë me çështjet të koncentrimit të forcave në kufi…I ka të gjitha kapacitetet mendoj se ka qenë neglizhencë që ajo nuk ka vepruar ose ka qenë në trusni qoftë të Kombeve të Bashkuara gjegjësisht UNMIK-ut që çdoherë ka vazhduar prej një mandate në mandate në tjetri me tabela KS”, u shpreh ai.

    Ndonëse e përkrah si vendim, eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, e konsideron të ngutshëm.

    Shala thotë se me këtë vendim më të atakuarit janë banorët shqiptar që jetojnë në Luginën e Preshevës, për të cilët kërkoi që të lirohen nga kjo masë.

    “Mendoj se është veprimi drejtë sa i përket masës së ndërmarrë nga Qeveria për reciprocitet sa i përket targave, por është mirë që ky veprim të ishte marr në një interval kohor të mëvonshëm sepse jemi në proces të dialogut, kemi një fushatë zgjedhore të nivelit lokal kemi shumë çështje të padefinuar sa i përket kësaj mase të reciprocitetit ku ne kemi shumë qytetar tanë të Luginës të cilët më se janë të atakuar në mënyrë të drejtpërdrejt sa i përket kësaj mase. Një veprim i ngutshëm por i drejtë nga ana e ministrisë së Punëve të Brendshme. Tash mendoj se duhet të ulen tensionet dhe vendimit të revidohet apo të gjenden disa alternativa që të gjithë ata qytetar të Kosovë që jetojnë në Luginë Preshevë, Medvegj targat e tyre të mos atakohen nga kjo masë e reciprocitetit. Ndërsa, sa i përket pjesës më të madhe të shtetit serb është mirë që të zbatohet kjo masë“, theksoi ai.

    Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës përmes të cilit ka nisur zbatimi i masës së reciprocitetit, sa i përket targave të Serbisë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

    Në anën tjetër në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak këtë masë e kanë kundërshtuar qytetarë të shumë serbe duke vendosur kamionë në rrugë, ndërsa qysh në mëngjes në këto vendkalime kufitare kanë dal edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

    Ndërsa, tash e sa vitet qytetarët e Kosovës që kalonin në pikat kufitare të Serbisëështë dashur t’i heqin targat e tyre ‘RKS’ dhe të vendosin targa të përkohshme

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark