×
  • Sport
  • Sport

    Rënia e futbollit rus, korrupsioni dhe politika

    Insajderi
    14 February 2016 - 09:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Artikull i marrë nga New Yorker.

    Ekipi futbollistik i Dinamos nga Moska i ka themelet e para në një klub të fabrikës të themeluar më 1887, në mullirin Morozov, në periferi të qytetit. Në pranverën e vitit 1923, është marrë në bashkëpronësi nga policia sekrete – Cheka, e Vladimir Leninit dhe e ka marrë emrin e tanishëm.

    Në mesin e viteve të 30-ta Moska ka pasur pesë ekipe të mëdha futbolli, katër nga të cilat u prezantuan në gara të ndryshme të shtetit sovjetik: CDKA (CSKA-ja e tanishme), ka qenë ekipi i Ushtrisë së Kuqe, Dinamo, i policisë sekrete, Lokomotiva, ekipi i hekurudhave shtetërore dhe Torpedo ishte klubi i kompanisë së automobilave Torpedo.

    I përjashtuar ka qenë Spartaku nga Moska, i themeluar nga Liga e Komunistëve të Rinj dhe heroi lokal i futbollit, nikolai Starostin, i cili e ka emëruar klubin sipas gladiatorit që ka bërë kryengritje kundër pushtetit romak. Spartaku e ka publikuar identitetin e klubit si “klubi i popullit”, arsye e cila edhe sot bën që ajo të ketë më së shumti tifozë në ndeshjet e saj në krahasim me rivalët e saj.

    Dinamo, i drejtuar nga Lavrenti Beria, predator i egër seksual dhe drejtori i N.K.V.D. (policia e cila e ka zëvendësuar Cheka-n), dhe më pas është zëvendësuar nga K.G.B-ja, e kishte fituar kampionatin e parë sovjetik në vitin 1936.

    Një rivalitet i egër mes Dinamos dhe Spartakut – mbështetja për të cilët ishte akti i protestës ditore ndaj byrosë politike, ishte i sigurt. Armiqësia e ka arritur kulmin në vitin 1939, kur Beria ka urdhëruar që ndeshja të cilën e kishte fituar Spartaku në gjysmëfinale të kupës të luhet sërish. Spartaku e fitoi edhe këtë ndeshje, për tu bërë kampion i atij viti.

    Në vitin 1942, Beria e arriti hakmarrjen, duke e dërguar Starostin në kampin përqendrues duke e dënuar me dhjetë vite për shkak të lavdërimit të sporteve borgjeze. (Pas vdekjes së Stalinit, Beria ishte arrestuar nga Nikita Khruschchev, dhe, në vitin 1953 në moshën 54 vjeçare ai u ekzekutua. Dinamo ka dominuar në vitet e 40-ta, por nuk ka fituar ligën që nga viti 1976.

    Në tetor, unë vizitova Khimkin, periferinë e Moskës, për të shikuar atë që njihet derbi më i vjetër në Rusi, Spartakun kundër Dinamos. Prestigji i kontestit u shua pasi Dinamoja mbeti nën hijen e rivalëve të CSKA-së dhe Zenit St. Petersburgut (ekipi i themeluar më 1925 dhe e i blerë nga kompania shtetërore e gazit, Gazprom në vitin 2005).

    Zeniti tash është i mbushur me yje dhe po garon mirë në Evropë dhe në Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, edhe Dinamoja edhe CSKA-ja i luajnë ndeshjet e tyre në Arena Khimki, stadiumi me 18 mijë e 636 ulëse i cili ndodhet në periferi të Moskës.

    Kur unë e shikova që Spartaku e ktheu lojën nga 2-1 në fitore 3-2, në momentet e fundit të ndeshjes, u kthye një gazetar lokal duke më thënë “Është mallkimi”, duke iu referuar Berias, për mëkatet e të cilit, sipas shumicës Dinamoja ka akoma për të paguar. Por telashet e klubit më shumë janë si shkak i dridhjeve në futbollin rus, se sa rezultat i tersllëkut historik.

    Futbolli i Rusisë rrallëherë ka qenë në vijë me fqinjët e tyre Evropian. Premier Liga ruse mori formën e saj gjatë periudhës sovjetike dhe klubet u formuan jo si biznese por si figura të lojërave të oligarkëve, tiranëve dhe shefave të shtetit rus.

    russia_national_football_team

    Sidoqoftë, UEFA mund ta ndryshojë këtë gjë. Me anë të projektit “Financial Fair Play” të UEFA-s, Dinamo, i cili është i financuar nga banka shtetërore dhe Boris Rotenberg, njeriu i njëqindtë më i pasur në Rusi dhe ish-partneri i xhudos i Putinit, ishte gjetur se ka manipuluar me financa dhe si pasojë ishte sanksionuar nga pjesëmarrja në garat evropiane.

    Tash, yjet më të mëdhenj të tyre ndërkombëtar kanë lënë klubin për klubet e shteteve tjera dhe klubi që njëkohë ishte shumë i fuqishëm gjendet në fund të tabelës së Premier Ligës. Njerëzit kanë filluar të spekulojnë se rënia e Dinamos nga Moska mund të sjellë pasoja edhe te klubet tjera të mëdha ruse.

    Për Rusinë, kjo po bëhet akoma më e vështirë pasi që Rusia po përgatitet që të jetë nikoqire e Kampionatit Botërorë dhe Kremlini është i vendosur që të prezantojë fuqi dhe prestigj global. Me Dinamo Moskën në këtë situatë dhe potencialisht edhe ekipe të tjera pas tij, futbolli rus mund të copëtohet shumë lehtë edhe para se të luhet topi i parë i kampionatit.

    Pjesëmarrja në lojërat e Dinamos ka rënë që nga koha sovjetike: Njerëzit nuk e shijojnë lidhjen e klubit me policinë shtetërore. Sot, klubi shumë rrallë prekë pesë shifra në ndeshjet si vendës; derisa gjatë sezonit të kaluar mesatarja për ndeshje ishte më pak se 7 mijë.

    Dhe, si të gjitha klubet ruse, ka rënë edhe fitimi i saj nga marrëveshjet televizive: Premier Liga fiton vetëm 36 milionë nga të drejtat televizive derisa Premier Liga angleze fiton rreth 7.8 miliardë dollarë. Kjo nënkupton që, për të marrë lojtarë të mëdhenj evropian, klubet ruse duhet të kenë mirëbërës gjigant. Dhe, në Rusinë moderne kjo mund të nënkuptojë vetëm mbështetjen nga shteti.

    Që nga vitit 2009, Dinamoja shumicën e financave e ka pranuar nga V.T.B., banka shtetërore që zotëron 75% të aksioneve të klubit. Nga vitit 2013 deri në vitin e kaluar, presidenti i klubit ishte Boris Rotenberg. Në periudhën e VTB-së, Dinamo kishte shpenzuar shumë. Ata kishin blerë yllin gjerman Kevin Kuranyi, kongolezin Christopher Samba, dhe, në gusht të vitit 2014, mesfushorin francez Mathieu Valbuena nga Marseille. Ishte planifikuar një stadium i ri ambicioz, me 27 mijë ulëse i rrethuar nga ndërtesa rezidenciale dhe komerciale.

    Thuhet që ky ka qenë qëllimi kryesor i bankës shtetërore VTB. Por, jo pse kishte interes në sport, por huazimin e parave në mënyrë që ta zotërojë pastaj stadiumin.

    Pastaj gjithçka shkoi keq. Në vitin 2014, çmimet e naftës dhe sanksionet ndaj Rusisë kanë shkaktuar krizë në ekonominë e vendit. Rubla e dobët ia ka fryrë faturat ekipit të Dinamos, të cilat tashmë ishin shumë të mëdha. UEFA kërkon që sponsorët të paguajnë për sponsorizimin e klubeve në fanella, stadiumet dhe kështu me rrallë. UEFA ka zbuluar se VTB-ja ka paguar më shumë se që duhet si sponsor i klubit. Rregullat e “fairplay” janë të përgatitura në mënyrë që klubet të paraqiten si biznese dhe jo si lodra të elitës.

    Gjatë verës së kaluar së bashku me 12 lojtarë u larguan edhe presidenti i klubit Rotenberg dhe drejtori sportiv, Guram Adzhoyev. VTB-ja ka propozuar që të përfundojë lidhjet me klubin, duke ia kthyer kontrollin mbi klubin te komiteti sportiv.

    VTB-ja do të vazhdojë të jetë pronare e stadiumit. Përgjigja e Dinamos ka qenë që të luajë me lojtarë të rinj, lokalë në mënyrë që të theksojë historinë e saj: Klubi publikuar një dokumentar që vë në pah heronjtë-lojtarë që nga ditët e para nga vitit 1945. Por, ëndrrat e tyre për tu bërë kampion si duket kanë përfunduar pasi që Dinamoja aktualisht gjendet në pozitën e njëmbëdhjetë në tabelën ku janë të renditura gjashtëmbëdhjetë klube, vetëm katër pikë nga rënia nga liga. Dhe kjo mund të jetë shenjë e dobësimit të futbollit rus.

    Liderët sportiv të Rusisë kanë qenë shumë të lumtur kur vendi i tyre u zgjedh si nikoqir i kampionatit botëror 2018, në vitin 2010. Që nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Dhuna dhe racizmi kanë kapluar Premier Ligën ruse dhe problemet e Dinamos po tregojnë që rruga që ka marrë futbolli rus nuk mund të funksionojë në sistemin evropian.

    Korrupsioni është gjithandej dhe ai vjen i maskuar në mënyra të ndryshme. Disa klube ndajnë interesa financiare dhe akuzat për trupimin e ndeshjeve janë shumë aktuale. Për dallim nga vendet tjera, nuk ka interesim për t’u gjetur zgjidhje për këtë problem në Rusi. Madje, sipas Vasily Afansiev, një profesor i sportit në Universitetin Shtetëror të Moskës, pronarët e klubeve zakonisht blejnë të gjitha biletat dhe rrahin gjoks duke deklaruar se të gjitha u shitën edhe pse në stadiumin me dhjetë mijë ulëse ka vetëm një mijë tifozë.

    russian-plig-betting-tips-eridubet

    Si duket ekipi i ardhshëm që do të pësojë nga rregulli “F.F.P” i UEFA-s është Lokomotiva. Klubi ka katër sponsorë zyrtarë, por që të gjithë janë nëndegët e kompanisë së hekurudhave shtetërore, R.Z.D.V.T.B, poashtu ka në pronësi nëntë për qind të aksioneve të klubit.

    “Ata po përpiqen që t’i shmangen sanksioneve për sezonin e ardhshëm kështu që UEFA duhet ta ketë parasysh këtë”, ka thënë një tifoz i Lokomotivës.

    Sipas Ageev, është vetëm një mënyrë që të futbolli rus të vihet në një vijë me lojën moderne: të largohet qeveria nga ai. Por shteti nuk mendon njëjtë. Në dhjetor, ministri i sportit rus, Vitaly Mutko, kishte vënë një ndalesë për klubet të blejnë lojtarë të huaj, e cila gjë ka ulur edhe numrin e lojtarëve të huaj që kanë të drejtë të luajnë në klubet ruse nga shtatë në gjashtë. Dhe një ndalim tjetër ka ardhur, i cili ndalon ekipet ruse që të blejnë lojtarë nga Turqia, pas problemeve me rrëzimin e aeroplanit atje.

    Duke pritur që VTB Arena të përfundohet këtë vit, Dinamo më në fund mund të kthehet në shtëpi nga Khimki; e cila gjë do të rikthente mijëra fansa. Duke shtuar publicitetin që do ti bëhet Rusisë dhe klubit me organizimin e Kampionatit Botëror dhe me zhvillimin e lojtarëve të rinj, ndoshta Dinamoja mund të rikthehet në nivelet më të larta të futbollit rus. Por sfidat janë të vështira. Aleksandr Kokorin, sulmuesi 24 vjeçar i cili ka qenë një prej pjesëve kryesore të ekipit, është larguar në drejtim të Zenitit. Yuri Zhirkov, veterani i futbollit rus me 67 paraqitje për kombëtaren ruse poashtu është larguar në drejtim të Zenitit.

    Kevin Kuranyi, sulmuesi gjerman, kujton ditë të mira, kur Dinamoja nga Moska garonte në Europa League dhe kishte fituar gjashtë ndeshje rresht. “Ka qenë prej kohëve më të mira në karrierën time” thotë ai. Ai përfundon duke thënë “Shpresoj dhe uroj që Dinamo të kthehet në nivelin e tij sërish”./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark