×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    ‘Republika Srpska’ mes dy presidentëve: Dodikut e Karaxhiqit

    Insajderi
    08 January 2023 - 10:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Bosnje-Hercegovinën e thyen zotërinjtë, e thyen më të gjitha këto veprime. E thyen duke shpikur një emër të ri për kombin; boshnjak, duke e mbajtur këtë për vete, duke shpikur gjuhën boshnjake”.

    Kështu kishte thënë Radovan Karaxhiq më 9 janar 1992, duke iu drejtuar Kuvendit të popullit serb, mbajtur në hotelin Holiday Inn në Sarajevë.  Data e këtij tubimi, 9 janari, festohet si dita e Republika Srpska-s. Trasnkriptin e plotë të kësaj seance mund ta lexoni në këtë link, dhe më poshtë janë të nënvizuara (nga portali Istraga.ba) hollësitë dhe përfundimet më me peshë, të cilat praktikisht ishin preludi i luftës në Bosnje-Hercegovinë dhe krijimi i një territori të spastruar etnikisht brenda Bosnje-Hercegovinës. Istraga ka bërë një krahasim të deklaratave të presidentit të Republika Srpska-s të kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, nga 9 janari 1992, me deklaratat e presidentit të tanishëm të Republika Srpska-s, Milorad Dodik. Karaxhiq, siç mund ta shohim, tha më 9 janar 1992 se boshnjakët dhe gjuha boshnjake “u shpikën”.

    “Gjuha boshnjake nuk ekziston dhe populli boshnjak nuk mund të imponojë një gjuhë në tërë Bosnje-Hercegovinën, sepse kjo është një mazhorancianizëm që nuk do të lejohet”, tha Milorad Dodik më 20 dhjetor, 2016.

    “Boshnjakët si popull nuk ekzistojnë”, përsëriti Milorad Dodik në gusht të 2021’ës në Beograd.

    Shkoni më tej. Më 9 janar, 1992, presidenti i kohës së luftës i Republika Srpska-s, Radovan Karaxhiq, foli për njohjen e Qeverisë së Bosnje-Hercegovinës.

    “Nuk ka qeveri të unifikuar të Bosnje-Hercegovinës. Ka një qeveri të përbashkët ku edhe ne marrim pjesë. Marrim pjesë, por ne nuk do t’ua njohim vendimet e rëndësishme dhe kyçe asaj qeverie, e cila u arrit duke e mbivotuar popullin serb dhe përfaqësuesit e komunitetit kombëtar serb”, tha Karaxhiq më 9 janar, 2012.

    Milorad Dodik 29 vite më vonë. “Ne mbesin të palëkundur në qëndrimin se nuk marrim pjesë në vendimmarrjen e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin e Bosnje-Hercegovinës, përveçse Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija, duhet të caktojë disa prej seancave të atij institucioni. Ministrat e SNSD-së (Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur të

    Republika Srpska-s nuk do të marrin pjesë në vendimarrjen e Këshillit të Ministrave, përveç sot në atë për financimin e përkohshëm të institucioneve të Bosnje-Hercegovinës. Një vendim i tillë është në interes të Republika Srpska-së dhe popullit serb, sepse mundëson pagimin e pagave për rreth 7 mijë njerëz në Republika Srpska”, tha Milorad Dodik më 28 shtator, 2021.

    Radovan Karaxhiq, në adresimin e tij më 9 janar 1992, deklaron se një Bosnje-Hercegovinë e unifikuar nuk është më e mundshme.

    “Nuk ka më kthim mbrapa, dhe nuk mendoj se ka më mundësi të kthimit të një Jugosllavie të bashkuar, një Bosnje-Hercegovinë të bashkuar, dhe as nuk duhet të ketë kurrë më. Ky është një proces, një zhvillim. Bosnje-Hercegovina po diferencohet”, e shpalosi planin përfundimtar Radovan Karaxhiq më 9 janar, 1992.

    Milorad Dodik pas 30 viteve.

    “Bosnje-Hercegovina nuk do të mund të mbijetojë për arsyet e njëjta pse Jugosllavia nuk mbijetoi. Ka tri kombe në Bosnje-Hercegovinë. Dy prej tyre, kroatët dhe serbët, janë tejet të pakënaqur. Myslimanët duan të krijojnë shtet të unifikuar ku do të ishin kombi dominues”, tha Milorad Dodik më 23 janar 2022, në një intervistë për gazetën spanjolle El Mundo.

    Në fjalimin e tij të 9 janarit 1992, Radovan Karaxhiq, gjithashtu fliste për një “shpërbërje paqësore”.

    “Ne pajtohemi që të gjitha zgjidhjet t’i sjellim paqësisht dhe me marrëveshje. Por, nuk ka më mundësi që dikush të flet në emër të Bosnje-Hercegovinës dhe që atë që e flet në emër të Bosnje-Hercegovinës të jetë kundër interesave themelore të mbijetesës së popullit serb”, tha Radovan Karaxhiq më 9 janar, 1992.

    Milorad Dodik tri dekada më vonë.

    “Koha ka ardhur që sërish të aktivizojmë mekanizmat e shpërbërjes paqësore të Bosnje-Hercegovinës”, tha Dodik më 4 maj, 2022.

    Më 9 janar, 1992, Radovan Karaxhiq ishte posaqërisht i pakënaqur me mbulimin e ngjarjeve nga Radio Televizioni i Sarajevës (nga e cila u bë BHRT-ja).

    “A ka shans një Bosnje-Hercegovinë unike kur mbiemri – Serb-atribut-Serb në TVSA dhe ‘Oslobođenje’ të marrë një karakter pezhoratic. A është Bosnje-Hercegovina jonë unike, a është televizioni ynë unik që, të paktën në një mjedis, është ndërtuar dhe financuar nga populli serb”, tha Karaxhiq në fjalën e tij.

    Presidenti aktual i Republika Srpska-s mbi transmeusin publik të Bosnje-Hercegovinës.

    “BHRT-ja nuk është televizion objektiv ose transmetues i përbashkët, por, kurdo që mundet, është kundër serbëve”, deklaroi Dodik në prill të 2022’ës.

    Më 9 janar 1992, krimineli i dënuar i luftës Radovan Karaxhiq, gjithashtu fliste për tendencat për krjimin e “një shteti mysliman” në Bosnje-Hercegovinë.

    “Ata duan të realizojnë shtetin e tyre kombëtar. Sllovenët ia dolën, kroatët po provojnë ta bëjnë mbi një territor që nuk u përket, dhe mbase edhe do të kenë sukses në atë territor. Myslimanët mbase preferojnë një Bosnje-Hercegovinë të vogël myslimane ndaj tërë Jugosllavisë, që do të ishte edhe myslimane në të njëjtën kohë”, tha Karaxhiq më 9 janar.

    Intervista e Dodik për “Politika”.

    “Myslimanët në Bosnje-Hercegovinë po manipulojnë me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të 2013’ës sepse duan të tregojnë se janë më shumë se 50% që ta krijojnë shtetin e tyre islamik në Evropë”, tha Dodik më 3 korrik, 2016.

    Radovan Karaxhiq mbi Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës më 1992.

    “A ka shans një Bosnje-Hercegovinë e bashkuar derisa një ministër i vetëm i punëve të jashtme bredhet Lindje e Perëndim dhe kërkon diçka për Bosnje-Hercegovinën që ne nuk ia japin, prej pranimit të Unionin e Shteteve Islame e deri te kërkesat për rritje të flokëve. A është ky ministri ynë i jashtëm? Nuk është. Nuk ka më ministër të jashtëm. Kjo është ministria e tyre e jashtme”, tha Karaxhiq më 9 janar 1992.

    Milorad Dodik, tre dekada më vonë për Ministren e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.

    “Bisera Turkoviq nuk ishte dje ministre e Punëve të Jashtme në Këshillin e Ministrave para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por përfaqësuese e politikës boshnjake, e cila përfaqësohet nga dy anëtarë në Presidencë. Zonja Turkoviq, duke u lutur për vazhdimin e protektoratit në vendin ku është ministre, e kapërceu Biserën, e cila sillte hurma nga e gjithë bota, ndërsa qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës morën vaksina nga Serbia dhe shpëtuan jetën e tyre”, tha Milorad Dodik më 30 qershor 2021.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark