Si gjithmonë kjo supersfidë dhuroi emocione të shumta edhe në duelin e radhës, në të cilin nuk mungoi rivaliteti në fushën e lojës, por që në fund vendosi klasi i superyllit portugez Cristiano Ronaldo.
Ishte e pritshme që dominimi i katalansve në posedim të ishte edhe në këtë përballje dhe ashtu ndodhi. Gjatë fraksionit të parë ishin vendasit ata që organizoheshin dhe sulmonin, ndërkohë që mysafirët mbroheshin dhe prisnin rastin për të ndëshkuar.
Luis Suarez lëshoi një rast pothuajse të sigurt për të kaluar Blaugranët në epërsi kur dështoi të shënojë afro një metër nga porta, e gjitha kjo pas një pasimi të bukur nga Neymar.
Një moment i dyshimtë ishte kur Ramos e ndali Messin në afërsi të zonës, derisa Navas në njërën anë dhe Bravo në anën tjetër u treguan të vëmendshëm për t’i ndalur rastet e kundërshtarëve.
Atë që nuk ia dolën ta bënin sulmuesit, në pjesën e dytë e bëri qendërmbrojtësi Gerard Pique. Pas një harkimi nga këndi të Rakitic, spanjolli i iku markuesit të tij dhe shënoi me kokë (56’).
Shumë shpejt erdhi reagimi i Realit për ta barazuar rezultatin. Një aksioni i organizuar mirë i Los Blancos u kompletua me gol. Toni Kroos dërgoi një harkim të mirë në zonë dhe Karim Benzema realizoi në mënyrë akrobatike .
Krejt në fund Reali arriti të dalë nga Camp Nou me fitore, pasi erdhi në shprehje klasi i Cristiano Ronaldos i cili shënoi në minutën e 88’-të të takimit, për 1-2.