Për herë të parë ekskluzivisht për InDoks, ka folur viktima e Agim Ademit, biznesmeni kosovar, Dritëro Kadolli. Në vitin 2012 Kadolli së bashku me Agim Ademin, Muharrem Rramën e Samit Hamitin, ishin marrë vesh për një ndërtim, në këmbim biznesmenit iu kërkuan 3 shtëpi dhe një BMË e tipit X5.
Pasi marrëveshja nuk u realizua, filluan shantazhet e kërcënimet. Ademi dhe të tjerët donin patjetër veturën BMW X5.
“Kjo ka ndodh në vitin 2012-të. Unë e kam marrë tokën, e kam nënshkru marrëveshjen me pronarin dhe kur kemi shku me marrë lejen e ndërtimin na u ka thënë që është zonë e gjelbër. Masi kemi pyet nëpër qytet kush fatkeqësisht munden me i kry këto punë kanë thënë Sami Hamiti, Sami Hamiti ka qenë atëherë se di saktë me pozitë, ka qenë kryetar i asamblesë komunale të Prishtinës edhe fjalët kanë qenë që unë kur jam taku me Agim Ademin, marrëveshja ka qenë që 3 shpija dhe një BMW X5 me ia dhënë atyre për me rregullu këtë telashin për zonën e gjelbër. Shiko Agimit, Samisë dhe Muharremit të treve. Ka një shtëpi. Edhe BMË ka qenë e destinuar për Sami Hamitin si ryshfet”, ka rrëfyer për InDoks Kadolli.
Ai tregoi se si ju tha fjalën e fundit për BMW-në.
“BMW e kemi dhënë edhe se kemi dhënë. E kanë marrë BMW, unë e kam ble prej garazhdës që e ka zgjedh Muharrem Rama së bashku me të e kemi zgjedh, ka qenë me tabela të Gjermanisë, ja kanë qu Sami Hamitit me testu ka thënë në rregull është. Puna jem ka qenë me përkthy dhe me qit me tabela të Kosovës por ka ndodh që mbledhja e asamblesë është mbajtë me 25 korrik dhe nuk ka qenë rend dite parcela të cilën ne kemi kërku me shndërru nga zonë e gjelbër në ndërtimore. Edhe unë jam tërheq prej.. unë i kam thënë kurdo që i bini letrat hajdeni merreni veturën. Edhe ata skanë mujt me i pru letrat pastaj kanë fillu kërcënimet, shantazhet edhe është problem me ti shpejgu në telefon shumë, por janë prej më të ulëtave deri tek ballafaqimi fizik që e kemi pasur me Muhamerr Ramën për hir të qasaj veture që e ka kërku prej Sami Hamtin se arsyetimi ka qenë që Sami Hamiti ka me shku në deti i vyen vetura”, tha biznesmeni.
Kadolli përmendi raste konkrete se si sipas tij njerëz të afërt me Ademin kërcënuan e shantazhuan familjen e tij. Gruan e djalin.
“Agim Ademi qysh e njoh unë goxha i fshehët me veprime e tija, ai direkt jo por nëpërmes njerëzve të tjerë. Më kanë thënë shko ndërroje deklaratën se janë në burg, ti se dinë me kë ke punë, kemi pasur telashe që janë të papërshkrueshme edhe dukën film me ti kallxu krejt, sidomos prej njerëzve të tij që i ka nëpër Prishtinë. P.sh e kanë përcjell gruan me kerr, i kanë bërë shantazhe mua qashtu, fëmijët EULEX nja dy muaj është dashtë me i përcjell në shkollë qeshtu dhe ka pasur shantazhe prej më të ndryshme edhe më kanë dëmtu personalitetin dhe në biznes shumë me lidhjet e tyre që i kanë pasur”, ka deklaruar për InDoks të Gazetës Insajderi biznesmeni, Dritëro Kadolli.
“Agimi më ka kërcënu përmes mesazheve edhe më fëmijë bile më ka kërcënu, më ka qu mesazh në zyre që është vërtetu prej EULEX-it që thuaj atij të trashit le ta ruan Gurin, le ti paguan paret se Guri ka me pas problem (djali im) i vogël që atëherë ka qenë 5-6 vjet se kemi iu hakmarrë qeshtu diçka qesi kërcënime”, është shprehur ai për InDoks të Gazetës Insajderi.
Kujtojmë që më 12 maj të këtij viti pritet të nis rigjykimi ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili bashkë me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMË X5”.
Aktakuza ndaj Ademit dhe Ramës ishte ngritur më 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”.
Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të padrejtë, respektivisht shumën prej 30 mijë euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale detyrim në tentativë.
Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.
Dokumentari i plotë: InDoks | ‘Huligani’ që zaptoi Federatën e Futbollit