×
  • Lajme
  • Insajderi

    Rreth 14 mijë euro shpenzime  – Kush janë zyrtarët e Komunës së Prishtinës që morën avanse për udhëtime zyrtare?

    Insajderi
    17 October 2022 - 16:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shumën prej 13 mijë e 784 euro, e ka paguar zyra e financave e Komunës së Prishtinës, për udhëtimet zyrtare që nga muaji shkurt i këtij viti. Në listën e shpenzimeve të Komuna e Prishtinës, figurojnë edhe meditje, por çka bie në sy është nuk dihet se kujt prej zyrtarëve i janë dhënë, pasi që në listë figurojnë vetëm shumat por jo edhe emrat e zyrtarëve.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama nuk figuron në listën e avanseve për udhëtime zyrtare, që ky institucion ia ka ofruar Gazetës Insajderi, pas kërkesës për qasje në faturat e shpenzimeve të komunës.

    Por aty është emri i nënkryetares Donjeta Sahatçiu. Ajo për udhëtime zyrtare ka shpenzuar shumën prej 2 mijë e 500 euro, sipas faturës që mbanë datën 26 maj, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më shumë sesa nënkryetarja Sahatçiu ka shpenzuar një zyrtar tjetër.

    Avdyl Pacolli, ka marrë avanse për udhëtime zyrtare në shumën prej 3 mije e 574 euro. Komuna faturën e këtij shpenzimi e ka të listuar tek shpenzimet e muajit maj.

    Rreth 2 mijë euro për udhëtime zyrtare ka shpenzuar edhe Muhamet Emra. Sipas komunës së Prishtinës shpenzimi është bërë në muajin maj.

    Një zyrtar tjetër në dy raste të ndara ka shpenzuar 3 mijë e 823 euro. Sipas listës së komunës, Vllaznim Osmani në muajin korrik shpenzoi 1 mijë e 900 euro kurse në muajin gusht shumën prej 1 mijë e 923 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Më pak se 1 mijë euro shpenzuan edhe tre zyrtarë tjerë nga taksa e qytetarëve në emër të udhëtimeve zyrtare.

    Në muajin mars të këtij viti, zyrtari Naim Shasivari ka shpenzuar për udhëtim zyrtar shumë prej 970 euro. Mertia Maliqi shumën prej 991 euro, kurse Driton Rrahmani 126  euro.

    Gazeta Insajderi, ka gjetur se në këtë listë të shpenzimeve që Komuna e Prishtinës i ka ofruar gazetës figurojnë edhe meditje jashtë vendit dhe brenda vendit.

    Por çka bie në sy është se këto meditje nuk dihet se kujt prej zyrtarëve i janë dhënë, pasi që në listë figuron vetëm shuma por jo edhe emri i zyrtarit.

    Tek kategoria meditje jashtë vendit janë dy shuma, 1 mijë e 400 dhe 959 euro, por jo edhe data kur janë dhënë.

    Ndërsa tek meditje brenda vendit  figurojnë shumat 666 euro, njëra 64 euro dhe 32 euro.

    Përparim Rama shpenzon mbi 11 mijë euro për drekat zyrtare

    Mbi 11 mijë euro të taksave të qytetarëve janë shpenzuar nga pushteti i ri në Komunën e Prishtinës, për dreka zyrtare e akomodim.

    Lista e siguruar nga Gazeta Insajderi, nxjerr në pah se figurojnë faturat e 9 drekave zyrtare, ndërsa për vetëm dy prej tyre janë harxhuar mbi 5 mijë euro

    Komuna e Prishtinës që tash udhëhiqet nga Përparim Rama, që nga muaji shkurt i këtij viti ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme të parave të qytetarëve, për dreka zyrtare e akomodim.

    Gazeta Insajderi, ka siguruar një listë të shpenzimeve që kjo komunë i ka bërë për kategori të ndryshme, në të cilën vetëm për dreka zyrtare e akomodim del se janë harxhuar 11 mijë e 434 euro në total.

    Një organizim i zyrtarëve të Ramës, në një hotel në Pejë është paguar në shumën prej 3 mijë euro. Organizimi është mbajtur me 23 shkurt të këtij viti.

    Ndërsa mbi 5 mijë euro janë paguar vetëm për dy dreka më të mëdha të organizuar nga Komuna  e Prishtinës.

    Ky institucion nuk ka dhënë detaje se çfarë darkash kanë qenë, për kënd janë organizuar dhe sa persona kanë qenë të pranishëm, por vetëm se faturat e drekave janë të muajit maj dhe korrik.

    Dreka e parë zyrtare që është mbajtur me 6 maj, del se është paguar nga zyra e financave të kryeqytetit në shumën prej 2 mijë e 100 eurove.  Derisa dreka tjetër zyrtare që është mbajtur me 7 korrik, ka kushtuar mbi 3 mijë e 393 euro, shkruan Insajderi. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark