Numri i viktimave nga minat tokësore dhe mjetet e ngjashme shpërthyese është rritur vitin e kaluar duke arritur në nivelin më të lartë që prej një dekade, tha një grup i vëzhguesve në një raport të publikuar të martën.
Fushata Ndërkombëtare për të ndaluar minat tokësore (ICBL) ka regjistruar 6461 vdekje ose lëndime nga minat dhe bombat e pashpërthyera në vitin 2015, një rritje prej 75 për qind në krahasim me një vit paraprak.
Grupi tha se ky shtim i madh vjen si pasojë e konflikteve në Afganistan, Irak, Libi, Siri, Ukrainë dhe Yemen, shkruan rel.
“Numri i rritur brenda një dekade i viktimave të reja të shkaktuara nga minat tokësore dhe mjetet e pashpërthyera, shtimi i vuajtjeve të civilëve, gjysma e të cilëve janë fëmijë, dëshmon sërish se këto armë pa dallim nuk duhet të përdoren kurrë më”, Loren Persi Vicentiq, tha një prej redaktoreve të publikimit.
Numri më i madh i viktimave u regjistrua në Afganistan me rreth 1310 njerëz që janë vrarë ose të plagosur – megjithëse ky numër ishte i ngjashëm me atë të vitit 2014.