Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë lojtarët e Kombëtares pas fitores historike ndaj Rumanisë, në ndeshjen e fundit për Grupin A të Europianit 2016.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, u miratua dhënia e një fondi shtesë prej 1 milion eurosh, si shpërblim për Kombëtaren. Ndaj shpërblimi që pritet të marrë Kombëtarja shqiptare pas fitores historike ndaj Rumanisë në Europian shkon në 3 milionë euro, pasi 2 milionë euro i ka akorduar FSHF-ja.
Ky fond do të transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila do të bëjë edhe shpërndarjen e premios te lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik. Në vendimin e marrë nga qeveria, urdhërohet Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe Ministria e Financave, që ta zbatonin sa më shpejt.
Por, përveç shpërblimit të majmë që vjen pas këtij suksesi historik, kryeministri Edi Rama u ka premtuar lojtarëve edhe pasaporta diplomatike, duke i cilësuar ata si ambasadorët më të mirë të vendit në botë. /Insajderi.com