×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Lajme / Kosovë

    “Rrugëtimi Astral” i Hekuran Sokolit

    Insajderi
    09 June 2021 - 13:21

    Artisti Hekuran Sokoli të premten do ta hap ekspozitën e tij personale në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.

    Kurator i ekzpositës “Rrugëtimi Astral”, do të jetë profesori i Artit, Musa Kalaveshi.

    Në ekspozitën e parë të Sokolit, e cila do të jetë e qasshme për publikun  nga ora 19:00, do të jenë të paraqitura 16 vepra të cilat janë skicuar dhe përfunduar gjatë kohës së pandemisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndërkohë, vetë autori, ka treguar se si i ka realizuar këto punime, dhe nga çka është inspiruar.

    “Gjithnjë më kanë fascinuar yjet. Më kujtohet si adoleshent kur punoja në shtypshkronjë – duart e zhytura me ngjyrë – pas punës së lodhshme, dilja jashtë për të pirë cigare dhe më pëlqente t’i shikoja yjet. Për mua nuk ka asgjë më të bukur sesa yjet. Ata janë atje kur lindim dhe na përcjellin gjatë gjithë jetës deri në vdekje – të përsëritshëm, por të bukur”, ka thënë Sokoli.

    “Periudha universitare dhe shoqërimi me artistë lokalë më ka ndihmuar që të njoftohem me punët e piktorëve të mëdhenj si Wassily Kandinsky dhe Joan Miro, të cilët janë inspirim i pashtershëm në artin që krijoj. Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të Fakultetit të Arteve nuk isha i gatshëm ta zhvilloj një grup punësh, andaj vendosa ta bëj një pauzë, në mënyrë që të zhvillohem në drejtime të tjera, por gjithnjë duke e pasur në mendje se një ditë do t’i kthehem artit për t’ia dhënë atë që kam observuar ndër vite”, vazhdon rrëfimin artisti.

    “Tash pas gati një dekade, arrita ta krijoj një grup punësh ku në të gjenden elemente mekanike dhe kryesisht katër ngjyrat e pastra bazike që përdoren në shtypshkronjë, forma gjeometrike të ndikuara nga krijimtaria e Kandinsky dhe po ashtu disiplinë të dizajnit grafik që e kam mësuar gjatë kohës së studimeve. Sa i përket rrugëtimit astral, ende nuk kam arritur që të udhëtoj fizikisht në hapësirë, por bukurinë e tyre mund ta shoh gjatë natës dhe çdo herë ma ngjallin imagjinatën”, thotë Sokoli.

    Përveç pikturave që do të jenë në shitje, do të ketë edhe kartolina të printuara me vepra të ndryshme prej këtij cikli, ku 50% i fondit të mbledhur nga shitja e kartolinave do t’i dhurohet një fëmije me nevoja të veçanta./Gazeta Insajderi

    Ekspozita: “Rrugëtimi Astral”
    Vendi: Biblioteka Kombëtare
    Data: 11.06.2021
    Ora: 19:00

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark