×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Rusia e kryen sulmin më të madh me dronë në Ukrainë prej se e nisi pushtimin e saj

    Insajderi
    25 November 2023 - 16:12

    Rusia e ka sulmuar Ukrainën me një numër rekord dronësh iranianë më 25 nëntor, duke i plagosur disa njerëz dhe duke shkaktuar dëme, thanë zyrtarët ukrainas, duke e cilësuar këtë si sulmin më të madh rus prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

    Kryeqyteti Kiev ish cak i sulmeve që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cilësoi si “veprime të qëllimshme terroriste”.

    “Rusia i lëshoi rreth 70 dronë shahed në Ukrainë pikërisht në prag të ditës së përkujtimit të gjenocidit të Holodomorit”, shkroi Zelensky në rrjetin social X, duke iu referuar përvjetorit të viktimave të urisë së shkaktuar nga dora e njeriut më 1932-33, si pasojë e të cilës vdiqën miliona njerëz në Ukrainë.

    Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 71 prej 75 dronëve – rreth 60 mbi Kievin – me të cilët Rusia e sulmoi të shtunën.

    “Luftëtarët tanë i rrëzuan shumicën e dronëve, por jo të gjithë”, shkroi Zelensky.

    “Ne po e vazhdojmë punën për ta forcuar mbrojtjen tonë ajrore dhe për ta bashkuar botën në luftë kundër terrorit rus. Shteti terrorist duhet të mposhtet dhe të mbahet përgjegjës për veprimet e veta”, shtoi ai.

    Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, dha hollësi rreth sulmit rus mbi kryeqytetin ukrainas, si pasojë e të cili u plagosën pesë njerëz, përfshirë një fëmijë 11-vjeçar. Të gjithë prej tyre morën tretman mjekësor, tha ai.

    “Barbarët rusë kryen sulmin më të madh mbi Kievin dhe alarmi ajror zgjati gjashtë orë”, tha Klitschko.

    Ai tregoi se disa rrethina të kryeqytetit u goditën gjatë sulmit, ndërsa më e prekura ishte rrethina Solominaski, ku një zjarr i shkaktuar nga copëzat e dronit të rrëzuar e dëmtuan një çerdhe.

    “Ky sulm me dronë ishte më i madhi prej se nisi pushtimi i plotë”, tha shefi i administratës ushtarake të Kievit, Mykhaylo Shamanov, për televizionin ukrainas.

    Sulmi i dëmtoi linjat e rrymës në kryeqytet, duke i lënë në terr 120 institucione dhe 77 ndërtesa banimi në qendër të kryeqytetit, tha administrata ushtarake e Kievit.

    Ukraina është duke u përgatitur për sulme më të shpeshta ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike gjatë sezonit të ftohtë, sepse Moska e kishte kryer një fushatë të ngjashme dimrin e kaluar, duke i lënë miliona ukrainas në terr dhe në të ftohtë, pasi ua kishte shkatërruar infrastrukturën jetike të energjisë./rel

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark