Ish deputeti dhe një ndër themeluesit e LDK-së, Sabri Hamiti, ka bërë një shkrim politik duke goditur ashpër Vetëvendosjen dhe në veçanti Vjosa Osmanin që braktisi partinë e z.Rugova për t’u bashkuar me platformën politike të z.Kurti.
Hamiti vlerëson se nuk mund të jesh rugovist pa LDK-në, duke e quajtur një gjë të tillë “të pamundshme” e të “pakuptueshme”.
Akademiku kosovar ka qëndruar i heshtur për kohë të gjatë dhe nuk është kandiduar për deputet, por ai ka thyer heshtjen me disa fjalë të fuqishme, duke e akuzuar Osmanin edhe si “plëngprishëse”.
“Nuk mund ta bartë shenjën e LDK-së as të rugovizmit askush që në trajtë plangprishësi ndahet nga shtëpia e moçme, për të gjetur strehë të tjera, sidomos nën çadrën ideologjike të partive rivale.”, ka shkruar ndër tjerash Hamiti.
Më tej ai ka thënë se është bërë “modë” që së fundi të shahet LDK-ja, derisa ka dhënë elaborime të kujdesshme për figurën e presidentit të ndjerë Rugova.
Shkrimi i tij i plotë:
RUGOVA PRIJËS POLITIK
(Në 15-vjetorin e shkuarjes së tij)
Ibrahim Rugova qe dhe është shqiptari i ditur dhe prijësi politik i dashur i shqiptarëve. Lindi në Cërrcë më 1944 dhe dha frymën e fundit në Prishtinë më 2006.
Në politikë hyri me identitet krijuesi e dijetari. Që nga themelimi udhëhoqi LDK-në, me tri postulatet programore: liri, pavarësi, demokraci, dhe punoi për themelimin e Kosovës së pavarur.
U zgjodh President i Kosovës, dy herë me votë të drejtpërdrejtë qytetare dhe dy herë me votë popullore të deleguar në Kuvendin e Kosovës. Organizoi referendum për pavarësinë e Kosovës dhe punoi për njohjen e saj ndërkombëtare. Ideoi dhe propozoi simbolet shtetërore të Kosovës, Flamurin dardan dhe Himnin me një këngë kushtrimore të Kosovës. U vu në ballë të Këshillit të Partive Politike Shqiptare, duke kërkuar konsensusin demokratik për krijimin e institucioneve të shtetndërtimit dhe pajtimin për interesat strategjike kombëtare të vendit.
Ka 15 vjet që veprimi i tij është pranuar historik, por e sotmja politike në mesin tonë e bën me pasion ligjërimin për këtë histori të ndodhur, sikur të ishte ende e pashkruar.
Prandaj, kjo mbamendje.
III. Rugovizmi
Kur ndërroi jetë Rugova qindra mijëra njerëz të Kosovës, shqiptarë e të jashtëm, erdhën në Prishtinë t’ia bëjnë nderimin. U bënë një. Por makutëria e përvetësimit nuk njeh moral as ideal. Pas 15 vjetësh, zotëron teknika agresive e copëtimit. Rivaliteti i do dy koka të krisura që e kanë vështirë të kuptohen.
Ibrahim Rugova vetë, këto çështje i kishte mbyllur herët me penën e vet te “Bota e re” e studentëve, të cilën e redaktonte në fillim të viteve shtatëdhjetë. Atëherë Rugova shkroi artikullin polemik “Kush është gjak shqiptari?!”.
LDK-ja sot duhet të ruajë parimet themelore të partisë së djathtë nacional-demokratike, kundër tiranisë së majtë komuniste. Ndryshimet e ngutshme programore e vepruese do ta shpinin qoftë kah klientelizmi politik (ku të tjerë janë mjeshtër të provuar), qoftë kah përmbysjet e mësymjet revolucionare me ambicie totalitare (që i ka provuar historia). Në konkurrencën politike në Kosovë, LDK-ja përballet me rivalë të egër, që kanë një rrënjë e një qëllim: marrjen e pushtetit me çdo kusht, të frymëzuar edhe nga revanshi historik për sistemin e përmbysur.
Nuk mund ta bartë shenjën e LDK-së as të rugovizmit askush që në trajtë plangprishësi ndahet nga shtëpia e moçme, për të gjetur strehë të tjera, sidomos nën çadrën ideologjike të partive rivale. Këto shenja janë të rënda edhe për arrivistët e rinj e të vjetër që mburren për nisje të kryengritjes rugoviste. Kryengritjet te ne janë të panumërta, si dhe tragjike. Nuk mund të ketë kryengritje rugoviste.
Ka vetëm punë për fitore rugoviste. Këtu e ka bazën politika e urtë e LDK-së së Rugovës që ka vizionin se mendimi duhet t’i prijë veprimit.
Kërkesat për ndryshime të mbrendshme nuk barazohen me konvertime politike. Konvertimi politik është korrupsion i idesë e i programit. Prandaj, konvertitët kudo që shkojnë mbeten arrivistë. Të jesh rugovist pa LDK-në është e pamundshme dhe e pakuptueshme.
Duket që është bërë modë të flitet kundër LDK-së. Apologjia e LDK-së është detyrim dhe nevojë. Apologjia e saj është zbatimi i programit të saj politik.
Kjo është vëmendje që buron nga veprimi i Ibrahim Rugovës, organizatorit më karizmatik të vullnetit të popullit të Kosovës dhe përfaqësuesit ekselent të Kosovës dhe të njohjes së saj.