×
  • Sport
  • Sport

    Salihamidzic u shkarkua nga legjenda që e punësoi

    Insajderi
    31 May 2023 - 22:05

    Pas gjashtë vitesh, Hasan Salihamidzic u shkarkua nga posti i drejtorit sportiv të Bayern Munich dhe gjermania “Sport1” renditi të gjitha gabimet e tij, si dhe atë të fundit që i vuri “vulën”.

    Sipas portalit të njohur sportiv gjerman, drejtuesit e Bayernit kanë kritikuar qëndrimin e Salihamidzic ndaj trajnerëve në dy vitet e fundit.

    Fillimisht, ai kishte marrëdhënie të lëkundura me Hansi Flick, të cilin e “joshte” prej muajsh duke i premtuar përforcime të mëdha dhe pasi nuk ia plotësoi dëshirat, Flick vendosi të largohet nga klubi dhe të marrë drejtimin e kombëtares gjermane.

    Pas largimit të Flick, Salihamidzic emëroi Julian Nagelsmann si pasardhës të tij, por edhe ai bashkëpunim u “prish” në mars të këtij viti pasi informacionet filluan të “rrjedhin” nga dhoma e zhveshjes së Bayernit në publik.

    Thomas Tuchel mori drejtimin dhe udhëhoqi Bayernin drejt titullit të 11-të radhazi kampion dhe menjëherë pas kurorëzimit të lojtarëve të klubit bavarez, mbërriti njoftimi se Salihamidzic u shkarkua nga detyra.

    Megjithatë, vendimi për t’u ndarë me Salihamidzic nuk u mor brenda natës. Prej disa muajsh, ish-futbollisti boshnjak ishte gati të shkarkohej dhe protagonisti kryesor ishte legjendari Karl-Heinz Rummenigge, njeriu që e punësoi në postin e drejtorit sportiv.

    Në vitin 2017, Rummenigge shërbeu si president i Bayernit dhe u largua nga klubi bavarez në korrik 2021

    Megjithatë, Rummenigge po punonte gjatë gjithë kohës për t’u rikthyer te Bayern dhe mundësia për ta bërë këtë u shfaq në fund të këtij sezoni. Presidenti i Bayernit, Herbert Hainer, i ofroi atij një pozicion në Bordin Mbikëqyrës në mes të prillit dhe Rummenigge ishte i qartë – ai do ta pranonte këtë pozicion vetëm nëse Salihamidzic shkarkohej.

    Në fund Salihamidzic u shkarkua dhe Rummenigge u emërua dje anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Bayernit dhe kështu filloi një epokë e re e gjigantit bavarez.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark