Zhbllokohet më në fund Taulant Seferi. Sulmuesi i Kombëtares, që sezonin e shkuar shkëlqeu te Tirana, ka arritur ta bëjë “sefte” në elitën e futbollit ukrainas, duke shënuar një gol me peshë në duelin ndaj Çernomorets Odesa, ku skuadra e Vorskla Poltavës arriti të triumfonte me rezultatin 2-1, falë golit të Seferit.
Teksa sfida po shkonte drejt barazimit, në minutën e 88-të, u regjistrua një gol i gjithi shqiptar.
Pas harkimit të Ardit Tolit nga e djathta, mesfushori gjeti Seferin brenda zonës, i cili me një marrje fantastike, tregoi klasin e tij, duke realizuar një gol mjaft të bukur.
Ky ishte goli i parë në gjashtë ndeshje për Seferin. Një gol që 25-vjeçari e kishte kërkuar me ngulm, teksa tashmë kërkon të mos ndalet më.
Për sa i përket skuadrës së Vorskla Poltavës, ku aktivizohet tre shqiptarët, Toli, Totre dhe Seferi, kjo ishte fitorja e dytë radhazi në kampionat që e ngjiti ekipin në kuotën e shtatë pikëve, duke u pozicionuar përkohësisht në vendin e nëntë.