×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Senatorët amerikanë i kërkojnë Kosovës e Serbisë ta pranojnë aneksin e planit evropian

    Insajderi
    02 March 2023 - 08:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts – Kryetar dhe Anëtar i Rangut i Nënkomitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë – kanë përshëndetur qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë pas pajtimit për të pranuar planin evropian.

    Kësaj deklarate i janë bashkëngjitur edhe senatorët tjerë amerikanë Thom Tillis, Chris Murphy, Ron Johnson dhe Chris Van Hollen.

    “Ne i përgëzojmë qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet. Ky përparim mund të zhbllokojë mundësi të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, të cilat përfshijnë ndjekjen e anëtarësimit në BE dhe rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe në mbarë botën”, thanë Senatorët.

    “Sidoqoftë, të dy liderët tani duhet të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje për aneksin e zbatimit, i cili do të sigurojë një udhërrëfyes për normalizimin midis dy vendeve. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit kanë implikime të rëndësishme për rajonin më të gjerë – Ballkanin Perëndimor – ku ne e dimë se Putini po kërkon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus. Demokratët dhe republikanët në Senat janë të përkushtuar që të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërsa finalizojnë aneksin e zbatimit dhe të avancojnë prioritetet që do të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon”, potencohet në këtë letër.

    Shaheen, Tillis dhe Murphy vizituan Kosovën dhe Serbinë në prill të vitit të kaluar si pjesë e një vizite të delegacionit të Kongresit në Ballkan.

    Kujtojmë se të hënën e 27 shkurtit, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel me ndërmjetësit e dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak. Ndonëse nuk pati nënshkrim të marrëveshjes së propozuar nga BE-ja, palët e pranuan të njëjtën. /Klankosova.tv

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark