×
  • LifeStyle
  • LifeStyle

    Seriali bizar në “Netflix”: Derrat hanë njerëz, serbët e shqiptarët tregtojnë gra

    Insajderi
    01 February 2023 - 14:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Njëri prej projekteve më të shumëpritura televizive të këtij viti, seriali danez për nëntokën kriminale të Kopenhagës, premierën e pati në Venecie dhe prej atëherë nuk pushoi së diskutuari për estetikën hipnotizuese të Nicolas Winding Refnit (të cilin e mbajmë në mend prej trilogjisë filmike “Pusher” dhe titullit “Drive”, për të cilin u shpërblye në Cannes më 2011). Ngjyra trëndafili e neontë dhe e kaltra e vjollca joshëse, janë ato që ju përpijnë në njëfarë deti pervers e sadist.

    Trajleri noir i serialit “Copenhagen Cowboy” së fundmi doli në “Netflix”, e në të gjashtë episodet publiku mund të dëgjojë gjuhë popujsh të Ballkanit. Brumin e inspirimit për këtë rrëfim regjisori e gjeti te ato që e bënë të njohur Emir Kusturicën, primitivizmat e hapësirave të dikurshme jugosllave, “pisllëqet” politikisht jokorrekte e të tjera paragjykime për gastarbajterët, të cilët jashtë vendit kanë vendosur të merren me punë që bien ndesh me ligjin.

    Sharjet vetëm në gjuhët e popujve nga Jugosllavia tingëllojnë ashtu siç tingëllojnë, sepse në danisht nuk ka këso fjalësh të lëngshme për organet gjenitale, aktet seksuale e shprehjet nënçmuese të kurvërisë ndaj nënave. Në IMDb, te rubrika “gjuhët” shkruhet se seriali është realizuar në danisht, japonisht dhe në anglisht, ani pse ajo që dikur quhej serbokroatisht është dominuese.

    “Copenhagen Cowboy” është fort i stilizuar dhe i errët, aq sa do t’ju ndërmend se kurrë deri më tash nuk keni parë diçka të këtij soji. Nëse edhe më u shkon në mend se i keni parë krejt, atëherë do të imagjinoni se si duken mentaliteti e seksualitetit ballkanik prej këndvështrimit nordik

    Seriali është fort i stilizuar dhe i errët, aq sa do t’ju ndërmendet se kurrë deri më tash nuk keni parë diçka të këtij soji. Nëse edhe më u shkon në mend se i keni parë krejt, atëherë do të imagjinoni se si duken mentaliteti e seksualitetit ballkanik prej këndvështrimit nordik.

    Misteriozja Miu (Angela Bundaloviq) është një grua e re me pamje djaloshare, e cila zotëron fuqi të mbinatyrshme, por nuk di gjë për veten, pos asaj se ajo u shit kur ishte vetëm 8 vjeçe.

    E quajnë “monedhë fati”, sepse besohet se sjell fat dhe sapo u ble nga një grua supersticioze nga Paraqini, e cila, tok me vëllanë e saj, mbajnë një bordello nëntokësore në Kopenhagë plot me “punëtorë” pa dokumente.

    Në këtë ferr i cili udhëhiqet prej parimit të matriarkatit, prej seksit shtazarak të dehumanizuar, gjithnjë e më shumë ka dhunë, që është njëfarë fetishi dhe strehe e fundit në botën e pakuptimtë.

    Rosella (Dragana Milutinoviq) prej Paraqinit, dëshpërimisht do të mbesë shtatzëne dhe i premton Mius 10 mijë euro.

    Prej kënaqësisë e rehatisë fillestare në shtëpinë e kitschit (perde, paravanë, flamuri shqiptar në mur), Miu hidhet shpejt në bodrum, ku fle me prostitutat – skllave jugosllave seksi. Rosella nuk mbeti dot shtatzënë pas një akti, dhe hoqi dorë.

    Shpejt pason momenti i arratisjes. Miu vesh xhupin e kaltër – dhe si në një version danez të Uma Thurmanit te “Kill Bill” – niset prej bordellos nëntokësore shqiptare nëpër restorantin kinez – ku derrat ushqehen me kufoma kriminelësh të likuiduar në qërim hesapesh bandash mafioze – deri te horrat e pasur sadistë, pronarë të thertores më të madhe të derrave në qytet. I biri i tyre në stallë mbyt gratë dhe ua thith gjakun (tekefundit njësoj së paraardhësit e tij).

    Miu shpejt mbërrin te Miroslavi (Zlatko Buriq), një avokat i djallit, i cili ka nevojë për ca lumturi në përditshmërinë boshe të Kopenhagës. Puna nuk i ecën, valixhet e tij janë të mbushura më kokainë, por shpreson për ditë më të mira. Miut i duhet të hakmerret në vendin ku njerëzit jetojnë të udhëhequr prej instinkteve. Vdekjet renditen njëra pas tjetrës dhe mbijetojnë vetëm ata që kanë nxitjet më të forta. A ka kaubojë në Kopenhagë?

    Atmosfera është depresive e tingulli i sintisajzerit do t’ju përhumbë edhe më. Nëse u është e njohur puna e “djelmoshave të këqij” danezë prapa kamerës (në mesin e të cilëve, me i njohuri Lars von Trier), e dini se ju pret një gjendje e pashpresë dhe e tëhujësimit, sikurse edhe sekuenca të gjata në të cilat ka pak e aspak dialog.

    Ka shumë ngjarje e realisht nuk ndodh gjë, sepse këta njerëz janë hiç dhe s’i duhen kujt por janë material i shkëlqyeshëm artistik. Megjithatë, aso që ka më bollëk është ironia e cila nis qysh prej titullit të serialit.

    Vitin e kaluar Zlatko Buriq nga Osjeku u shpall aktori më i mirë evropian nga Akademia Evropiane e Filmit për rolin e tij të shkëlqyer si kapitalist rus, në filmin “Triangle of Sorrow” të fituesit të dyfishtë të “Palmës së Artë”, regjisorit suedez Ruben Ostlund. Me regjisorin i cili thjesht nënshkruhet me NWR, ka bashkëpunuar qysh prej filmit “Pusher”.

    Është interesante se në Danimarkë ka shumë aktorë me origjinë prej hapësirave të ish-Jugosllavisë. Përveç Angela Bundaloviqit dhe Dragana Milutinoviqit, në serial luajnë edhe disa aktorë të tjerë nga ish-Jugosllavia, dhe e dimë që Danica Çurçiq është një nga yjet më me nam atje.

    Paradoksalisht, gjithçka përputhet me atë që trajton “Copenhagen Cowboy”. Evropa po humb identitetin e saj, sepse vetëm të huajt janë ata që sjellin gjak të freskët e të nxehtë dhe nuk janë hiç më pak të këqij sesa vampirët biondë vendës, të cilët dëshpërimisht janë të etur për atë gjak.

    Sidoqoftë, “Copenhagen Cowboy” është një përvojë unike jugosllave në “Netflix”.

    Shkrim nga “Index.hr”. Përktheu: KOHA

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark