Xhezair Dashi -

Xhezair Dashi

23:10 - 20 Mars 2023

“Unë nuk jam avokat. I tillë nuk është as Gabriel Escobar-i”. Kështu thotë profesori i mirënjohur amerikan Daniel Serwer në një bisedë me Insajderin kur është pyetur rreth deklaratës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se edhe pse Serbia nuk e ka nënshkruar marrëveshjen as në Bruksel e as në Ohër, ajo është megjithatë ligjërisht e detyrueshme për palët. Serwer nuk e sheh një gjë të tillë të mundshme pa u vendosur firma mbi dokument.

“Nuk shoh se si do të mund të ishte ligjërisht e detyrueshme pa nënshkrim, përveç nëse ka një organ të së drejtës ndërkombëtare tradicionale për ta mbështetur atë”, thotë Serwer, ndërsa shton edhe se “Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq do të zbatojë atë çfarë ai mendon se është në avantazh të Serbisë. Njëjtë do të veprojë edhe [Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti”. Por, vazhdon të vlerësojë ai, “kjo nuk është formulë për paqe të ngrohtë”.

I pyetur nga Insajderi se a mund të jetë një marrëveshje “marrëveshje” pa u vendosur firma në të, Serwer shprehet kështu: “Mund të ketë marrëveshje nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë kështu, por është qartësisht jo ligjërisht e detyrueshme deri kur palët të thonë se është”.

“Kjo [të qenit ligjërisht e detyrueshme] zakonisht bëhet kur palët e vendosin nënshkrimin”, tha Daniel Serwer në një bisedë me Insajderin.

Çfarë tha sot Escobar?

“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Gabriel Escobar fillimisht në një konferencë online me gazetarë.

Pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve, tha i bindur ai./Insajderi/