Këngëtarët kolumbianë Shakira dhe Carlos Vives janë akuzuar që kanë kopjuar pjesë të këngës së tyre fituese të çmimeve “La Bicicleta” nga një këngë 20 vjet e vjetër e një këngëtari kubanez, sipas një ankese në një gjykatë në Spanjë, raporton The Guardian.
Me këngën “La Bicicleta” (biçikleta) dyshja ka fituar dy Grammy latinë vitin e kaluar – kënga më e mirë dhe incizimi më i mirë.
Por sipas ankesës së bërë në një gjykatë komerciale në Madrid nga Liván Rafael Castellanos, i njohur si Livam, kënga “La Bicicleta” ka huazuar pjesë nga kënga e tij “Yo Te Quiero Tanto” (Të dua shumë).
Publikuesi i këngës “Yo Te Quiero Tanto”, pretendon që ka ngjashmëri në melodi dhe tekst të këngës së tij dhe asaj të Shakirës.
Kjo nuk është hera e parë që Shakira akuzohet për plagjiat.
Në vitin 2012 ajo ishte akuzuar nga Arias, i cili akuzoi këngëtaren për kopjim të njërës nga këngët e tij në hitin e saj “Loca” të vitit 2010.