×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    SHBA, vullnetarët ofrojnë vakte të ngrohta për të pastrehët

    Insajderi
    27 November 2020 - 14:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gati 17 nga çdo 10 mijë amerikanë e kalojnë natën në qiell të hapur. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Nguyen Lai, një rrjet strehimoresh dhe vullnetarësh ende përpiqen t’i bëjnë të ndjehen si në shtëpi.

    Qendra e të Pastrehëve në Manassas të shtetit Virxhinia është rreth një orë larg Uashingtonit.

    Gjatë kësaj stine festash, vullnetarët janë duke ofruar një darkë tradicionale për Ditën e Falenderimeve.

    “Sot u shërbejmë të gjithëve gjel deti, proshutë, pure patatesh dhe ëmbëlsirë kungulli… Këto janë ushqime tradicionale amerikane për këtë festë”, thotë vullnetarja Nhu Linh Duong.

    Festat e fundvitit fillojnë që në nëntor në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është periudha më e ngjeshur për organizatat bamirëse. Është periudha kur i vizitojnë këto strehimore për të shërbyer ushqim dhe për t’u dhënë dashuri dhe kujdes atyre që kanë nevojë.

    “Vaktet e ngrohta sigurisht që i ndihmojnë njerëzit këtu. Ata mund të vijnë këtu dhe të marrin diçka për të ngrënë dhe të qëndrojnë pak larg rrugës dhe t’i shijojnë këto ditë”, thotë Michael, një anëtar i stafit.

    Për shkak të pandemisë, shumë aktivitete në mbështetje të të pastrehëve, si ofrimi i vakteve të ngrohta dhe shpërndarja e rrobave dimërore në vende publike janë anulluar. Prandaj, aktiviteti i këtushëm ka domethënie.

    “Çdo vakt, çdo donacion që u ofrojmë, i ndihmon. Tashmë është qetësi pasi janë duke fjetur, por do zgjohen së shpejti dhe do duan diçka për të ngrënë. Pra, na erdhën vaktet në momentin e duhur”, thotë Angelica Smith, anëtare e stafit.

    “Kur njerëzit mblidhen për Ditën e Falenderimeve, ndjehemi me fat që jemi të rrethuar nga familja, miqtë dhe njerëzit e dashur. Këta këtu janë në nevojë dhe u mungojnë këto gjëra të shtrenjta të jetës. Prandaj vijmë këtu; që t’iu tregojmë dashuri dhe mirëkuptim”, thotë vullnetarja Thu Thuy Nguyen.

    Organizata ka përgatitur edhe 80 vakte të tjera për t’i shërbyer në një tjetër strehimore në Ditën e Falenderimeve.

    Është një mënyrë për të ndihmuar ata që janë me më pak fat në këto kohëra të vështira.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark