×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shefkije Islamaj, pjesë e “FICTION FEST”- edicioni i katërt

    Insajderi
    24 November 2021 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në edicionin e katërt të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do jetë e pranishme gjuhëtarja e rëndësishme, doajenia e studimeve albanologjike dhe prozatorja e veçantë, Shefkije Islamaj.

    Shefkije Islamaju lind në Likoc të Skënderajt në  vitin 1953. Shkollimin fillor e kreu në Skënderaj më 1968 ndërsa Normalen në Mitrovicë më 1972. 

    Studimet për gjuhë dhe letërsi i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977. Studimet pasdiplomike i përfundoi më 1980. Pas një periudhe dy vjeçare (1982) e mbrojti temën e magjistraturës me titullin “Sinonimet në gjuhën shqipe”. Në vitin 1999 e mbrojti tezën e disertacionit me titullin “Veçoritë leksiko-semantike dhe stilistike të gjuhës së veprës letrare të JakovXoxës”.

    Është autore e romanit “Mos më thuaj se më ke parë ëndërr (2004), dhe monografive shkencore, si “Çështje të sinonimeve në gjuhën shqipe”(1985), “Fjalor i fjalëve të huaja” (bashkautor,1987), “Gjuha e Jakov Xoxës”(2000), “Kultura gjuhësore dhe përdorimi estetik i gjuhës”, (2002), “Gjuha, ligjërimi dhe fjala”, (2004), “Gjuha dhe identiteti” (2008), “Gjergj Fishta – Gjuha dhe stili, I, II” (2012), Gjuha, teksti dhe konteksti (2014) dhe “Gjuha, gjuhëtarët dhe shkrimtarët (2017)”.

    Është fituese e çmimit “Shkencëtar i vitit” nga MASHT (2012). Jeton në Prishtinë.

    Në vitin 1977 u punësua asistente në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtare e  grupit redaksional të Fjalorit Enciklopedik të QSA-së në Tiranë. Që prej themelimit të tij më 2004, Shefkije Islamaj, është anëtare e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën dhe kryetare e Grupit të Kosovës për Çështje të Leksikut.

    Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

    Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

    Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu.

    Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.

    Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.

    Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark