Tirana dhe Orges Shehi vazhdojnë bisedimet për kontratën e re. Para dy ditësh mes trajnerit dhe presidentit Refik Halili është zhvilluar një takim ku palët kanë shpalosur kushtet që kanë ndaj tjetrit.
Takimi ka qenë i hapur dhe si fillim presidenti Refik Halili mësohet se i ka ofruar një kontratë Orges Shehit. Po kështu, nga KF Tirana i është bërë edhe një rritje rroge që mbetet për t’u diskutuar në detaje.
SHEHI – Trajneri i Tiranës nga ana e tij ka qenë i qartë për marrëveshjen e re. Në fillim Shehi ka deklaruar se kërkon një kontratë të plotë një-vjeçare.
Nga ana tjetër, Shehi i ka bërë të qartë presidentit Refik Halili se marrëveshja duhet të jetë njëvjeçare dhe të mos jetë as opsioni i shkarkimit në çdo moment i trajnerit dhe automatikisht mosmarrja e rrogave deri në fund të kontratës. Kushti i dytë ka qenë skuadra.
Ashtu siç është bërë e qartë edhe më parë, Shehi kërkon skuadër kompetitive dhe nga Halili ka kërkuar garanci për mbajtjen e lojtarëve aktualë, pra mosprekjen e grupit.
Kjo do të thotë që duhet të qëndrojnë të gjithë, nga Toli te Toshevski. Nëse lojtarët largohen, duhet të zëvendësohen me lojtarë të të njëjtit nivel brenda datës 6 qershor kur rinis stërvitja e bardhebluve.
Pa ekip të plotë apo garanci Shehi nuk firmos.
VENDIMI – Trajneri pritet të marrë një vendim tri-katër ditët e ardhshme. Mësohet se Shehi do të mendohet dhe më pas do të vendosë për firmën me Tiranën.
Gjatë këtyre ditëve ofertat ndaj Shehit kanë qenë në seri. Prej javësh trajneri i Tiranës ka në tavolinë një ofertë shumë të mirë.
Një skuadër kosovare i ka afruar 12 mijë euro (me shumë mundësi Gjilani) që ai së bashku me stafin e tij të drejtojnë një ekip kosovar dhe të sjellin titullin kampion. Oferta është shumë e mirë dhe është një nga të shumtat.
Nga ana tjetër, Shehi, që të vazhdojë punën te Tirana, ka kërkuar që skuadra të mos preket.
FAZA – Tirana është duke menduar edhe për përgatitjet në Europë. Kështu, mësohet se që pas mbylljes së kampionatit deri në datën 5 qershor skuadra do të pushojë.
Më pas faza përgatitore do të nisë më 6 qershor. Klubi Tirana mendon që fazën përgatitore ta kryejë në Turqi dhe do të niset drejt Antalias më 13 qershor.
Vendimi ende nuk është marrë, por Shehi nëse qëndron kërkon miqësore të forta që asnjë vend tjetër veç Turqisë nuk mund t’i ofrojë. Deri më 6 qershor Tirana duhet të jetë e kompletuar për Europën./panorama